Arsene Wenger, sërish beqar

23/09/2015 00:00

Presioni i madh që përjetohet në futbollin anglez, duket se ka ndikuar edhe në jetën private të Arsene Wenger.

Trajneri i Arsenalit dhe bashkëshortja e tij Annie, vendosën të ndahen në mënyrë konsensuale. Gjykata në Londër firmosi një dokument specifik që nuk është një divorc i plotë, por një ndarje ligjore mes palëve, sipas të cilit Wenger dhe bashkëshortja e tij nuk janë të detyruar më të jetojnë me njëri-tjetrin.

Sipas një burimi të brendshëm të familjes, procesi i ndarjes ishte vendimi më i mirë i marrë prej tyre duke parë situatën e krijuar.

Për problemet në marrëdhëniet mes Wenger dhe bashkëshortes së tij Annie, 59 vjeç, po flitej prej kohësh në media dhe tani gjithçka përfundoi mes tyre. Për më tepër, Wenger i kishte premtuar asaj se do të hiqte dorë nga futbolli, gjë që në të vërtetë nuk e bëri. Wenger dhe Annie, që kanë edhe një vajzë 18-vjeçare, u martuan në vitin 2010 pas një lidhjeje të gjatë, por 5 vjet më vonë rrugët e tyre u ndanë.

Top Channel