Kosovë, 4 të arrestuar për trafikim të paligjshëm emigrantësh

23/09/2015 16:40

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, Policia e Kosovës ka bërë këtë të mërkurë bastisjen e shtëpisë së të pandehurit V.L., si dhe ka arrestuar 4 persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “trafikim të qenieve njerëzore” për në vende të ndryshme të Europës.

Departamenti për Krimet e Rënda i kësaj prokurorie, po sot ka marrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve kundër të pandehurve V.L., S.R., F.L., D.L., R.SH., A.A., I.Q. dhe F.H., për shkak se dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të “trafikimit të paligjshëm të emigrantëve”.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit V.L. është gjetur një pushkë gjysmëautomatike, një pistoletë “Pietro Bereta” 7,62 mm, si dhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Të pandehurit dyshohen se, gjatë marsit 2015 dhe më 22 shtator 2015, kanë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë jashtë Kosovës, të cilët i kanë trafikuar viktimat për në vende të ndryshme, si në Francë, Zvicër dhe në Gjermani.

Të pandehurit, kryesisht i kanë transportuar viktimat nga Kosova në drejtim të Beogradit dhe, me kalim përmes Suboticës, në drejtim të Hungarisë. Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar 4.400 euro, të cilat janë gjetur tek i dyshuari S.R., ndërsa janë konfiskuar gjithashtu edhe 3 automjete të markës BMË, një prej të cilave me targa të jashtme, si dhe një automjet Hyundai Terracan me targa të Kosovës, bëri të ditur Prokuroria e Shtetit në një komunikatë për shtyp.

Të dyshuarit janë arrestuar pas përdorimit të metodave proaktive të hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, ndërkohë që 4 shtetas të tjerë janë në kërkim, të ndodhur në arrati.

Top Channel