Tusk: Schengen në rrezik. Vendet e Ballkanit të hapin dyert për refugjatët

23/09/2015 00:00

“Sot është në rrezik e ardhmja e Schengen-it dhe fryma e përbashkët europiane”. Kështu deklaroi kryetari i Unionit, Donald Tusk, përpara mbledhjes së posaçme të samitit europian.

Ai tha se do t’u propozonte krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së 4 pika për të ndihmuar reugjatët përmes Programit Botëror të Ushqimit dhe UNHCR-së, për të ndihmuar vendet kufitare të BE-së dhe fqinjët si Libani, Jordania, Turqia e  vende të tjera të rajonit, që aktualisht po merren me miliona sirianë, si dhe forcimin urgjent të kufirit të jashtëm të BE-së, përmes agjencive policore FRONTEX, EUROPOL dhe Zyrës Europiane për Azil.

Po kështu, Kolegji i Komisionerëve i paraqet samitit një paketë të re për ndihmën financiare deri në 500 milionë euro ndaj Sirisë dhe fqinjëve të saj, 1 miliard ndaj Turqisë për dy vitet e ardhshme, si dhe 17 milionë euro shtesë Ballkanit Perëndimor, kryesisht për Serbinë dhe Maqedoninë, për tranzitimin e refugjatëve.

“Këtu u bëj thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për të trajtuar në mënyrën e duhur njerëzore këtë sfidë dhe në mënyrë të veçantë që të mbajnë hapur pikat e kalimit kufitar, të mos i mbyllin ato dhe të mos pengojnë biznesin dhe ekonominë rajonale, sepse nëse mbyllen kufijtë dhe kamionat nuk kalojnë dot, kjo ka një ndikim direkt për situatën ekonomike të rajonit. Përveç kësaj, ne do të asistojmë më tej vende si Serbia e Maqedonia”, deklaroi komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn.

Ndërsa Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, tha:

“Një tjetër element i rëndësishëm në këndin e përbashkët të punëve të brendshme e të jashtme, për rrugën lindore, për rrugën e Ballkanit Perëndimor, është organizimi i konferencës së nivelit të lartë më 8 tetor në Luksemburg, që mbledh ministrat e vendeve anëtare por dhe të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë, për të punuar së bashku mbi pritjen, menaxhimin e fluksit dhe mbrojtjen e refugjatëve. Ne përballemi me të njëjtën sfidë dhe duhet ta ndajmë punën në përballimin e kësaj sfide”.

Ministrja e Brendshme austriake, Johanna Mikl Leitner përsëriti disa herë, për shkak të rrethanave, rëndësinë e rrugës së Ballkanit.

“Austria fiton nëse plani lehtëson rrugën e Ballkanit. Ne digjemi rëndë për shkak të kësaj rruge, sepse Austria është vendi i parë i pasur brenda BE-së. Nismat e ndryshme të Kroacisë, Sllovenisë e Hungarisë nënkuptojnë urgjencën për  rivendosjen e sigurisë në kufirin lindor e ballkanik”, tha Leitner.

Nëse paratë nuk gjenden në arkën e BE-së, presidenti i KE-së Jean Claude Juncker deklaroi gjatë konferencës për shtyp me kryeparlamentarin Schultz, se ato do të sigurohen përmes kontributeve nga vendet anëtare.

Falë traditës së përfituar, ashtu si dhe në presidencat e mëparshme, Luksemburgu arriti të mbyllë një vendimmarrje historike, teksa marrëveshja Schengen kërcënohej në 30-vjetorin e nëshkrimit të saj nga bllokimet ndërkufitare mes vendeve anëtare, për shkak të fluksit të papërballueshëm të refugjatëve, e për pasojë edhe nga tensionet për rikthimin e regjimit të vizave.

Këtij takimi nuk i mungoi bashkimi historik franko-gjerman i çasteve të vështira të BE-së, me daljen e përbashkët të dy ministrave të Brendshëm. Ndërsa vendet e tjera themeltare, si Holanda e Luksemburgu nuk harruan t’i kujtojnë Europës Qëndrore e Lindore se anëtarësimi 10-12-vjeçar në Union nuk i ka transformuar ato dhe se ky proces vijon ende.

“Në këto vende të lindjes ekziston perceptimi që nuk gjendet në shoqëritë tona të qëndrës, se i huaji, ai që vjen nga jashtë e që ka tjetër ngjyrë lëkure, kulturë apo besimi fetar, vjen për të zhbërë shoqërinë. Kjo duhet luftuar. Mendoj se është tepër zhgënjyese të shohësh në këto vende se armiku kryesor i popullit është Brukseli”, tha Jean Asselborn, ministër i Luksemburgut, vend që kryeson dhe presidencën e radhës të BE-së.

Edhe me shumicë të cilësuar, pa pëlqimin e plotë të Hungarisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Çekisë, apo qoftë dhe hezitimit të Finlandës, 28 kryeqytetet e BE-së detyrohen për zbatimin e vendimit, po aq sa Komisioni Europian.

Presidenti i grupit socialdemokrat në PE, Gianni Pitella kërkoi përjashtimin nga PSE të kryeministrit sllovak, Robert Fico, pas deklaratës së tij për të mos lejuar në vend “turma emigrantësh myslymanë që synojnë ngritjen e xhamive”.

Ndërkohë që kreu i grupit liberal, Verhofstadt kërkoi aktivizimin e Artikullit 7 për Hungarinë, që parashikon pezullimin e disa të drejtave ndaj një vendi anëtar që shkel parimet themelore të BE-së.

Top Channel