“Plus” denoncon sërish AKEP-në: Keqmenaxhon tregun e telefonisë

23/09/2015 00:00

Kompania celulare “Plus” ka denoncuar Agjencinë e Komunikimeve Elektroniko-Postare për politika dhe qëndrime diskriminuese në treg, të cilat sipas saj kanë patur pasoja të rënda financiare për këtë kompani.

Përmes një deklarate të shpërndarë mediave, “Plus” ka akuzuar nominalisht kreun e AKEP-së, Pirro Xhixho, i cili sipas saj ka kontribuar fuqishëm në ekzistencën e një tregu të parregulluar, i cili ka dëmtuar konkurrencën dhe në fund ka shtuar kostot për vite me radhë edhe për konsumatorët.

“Plus” thekson se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike për vite nga AKEP nën drejtimin e Pirro Xhixhos, nëpërmjet mosrregullimit të tregut të telefonisë celulare, duke përmendur me radhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, si dhe pengimin, sipas saj të qëllimshëm, në dhënien e liçencës 3G për këtë kompani, duke perdorur standarde të dyfishta.

Në njoftim kompania thotë se, nga këto politika të qëllimshme, “Plus”, si opoeratori i vetëm shqiptar në treg ka qenë gjithmonë ai më i dëmtuari.

Në këtë pikë kompania ka kërkuar ndërhyrjen dhe mbështetjen e institucioneve më të larta shtetërore, “për t’i dhënë fund këtyre sjelljeve diskriminuese dhe abuzuese të atyre që e keqpërdorin AKEP-në”.

Top Channel