Kosovë, debate për thertoret ilegale

23/09/2015 00:00

Pavarësisht thirrjeve nga institucionet për të mos therur kafshë dhe shpezë në vende të tjera përveç thertoreve të licensuara, një gjë e tillë sërish ka ndodhur gjatë ditës së mërkurë në tregun e kafshëve në Prishtinë.

Mjafton të kalohet pranë këtij tregu dhe nga kundërmimi kuptohet se aty po kryhet ky veprim i jashtëligjshëm dhe anti-higjenik.

Therja e kafshëve për festën e Kurban Bajramit, ka filluar një ditë më herët në këtë treg.

Të vetëdijshëm se ky veprim është i jashtëligjshëm, kasapët nuk pranuan të flasin para kamerës, por pas saj tregojnë për Top Channel se therja e një dashi, kushton 15 euro dhe kjo procedurë kryhet brenda pak minutave në një vend të improvizuar si thertore, në fund të këtij tregu.

Ndërsa vetëm një numër i vogël i tregtarëve pajtohen me mos lejimin e therjes së kurbanëve në treg.

“Nëse nuk është vendi adekuat edhe unë jam që të mos theren. Nëse e blen kurbanin nuk do të thotë që të theret në treg”, shprehet Tahir Tahiri, shitës.

Zyrtarja për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu tha se inspektorët komunalë kanë vizituar pjesë të ndryshme të qytetit dhe po merren masa për ndërprerjen e therjes se kafshëve jashtë thertoreve të licensuara.

“Therja duhet të bëhet vetëm në thertoret e licensuara nën vëzhgimin e veterinerit, me ç’rast veterineri e kontrollon kafshën dhe konstaton nëse është e shëndoshë apo jo. Inspektorët e komunës së Prishtinës, sot gjatë ditës dhe ditëve të kaluara, kanë qenë në terren, nëpër pjesë të ndryshme të qytetit dhe edhe tani vazhdojnë të jenë në terren, po marrin masa dhe po intervenojnë aty ku po hasin në tejkalime dhe mosrespektime të rregullave”, thotë Miranda Mullafazliu, zyrtare për informim, Komuna e Prishtinës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku një komunikatë të tyre ndër të tjera thuhet se, “therja në hapësira të cilat nuk janë të licencuara nga ana e AUV-së dhe pa prezencën e veterinerëve zyrtarë, paraqet rrezik për të gjithë konsumuesit e mishit që nxirret nga ato kafshë. Kafshët duhet të theren nën mbikëqyrjen e veterinerëve zyrtarë të autorizuar për kontrollin e kafshëve para therjes dhe pas therjes. Therja e kafshëve në kushte jo higjienike është e ndaluar me ligjet në fuqi, andaj personat që hasen duke bërë këto lloj veprimesh të paligjshme, do t’iu konfiskohet produkti dhe të njëjtit do të dërgohen para drejtësisë”.

Top Channel