Liderët kosovarë urojnë Kurban Bajramin

23/09/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e ditës së Kurban Bajramit, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë.

Urimet e tij i kanë shprehur edhe kryeministri Isa Mustafa e kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Kurban Bajramit, ashtu si festat e tjera fetare, na bashkon në familje, na bashkon me farefisin, na bashkon me miqtë tanë. Uroj që edhe kjo festë të jetë festë e unitetit, e arsyes, që ne bashkërisht të zgjidhim problemet e këtij vendi, ta ndërtojmë Kosovën vend të mirëqenies, vend të zhvillimit dhe vend ku çdo qytetar do ta ndjente veten mirë”, thuhet në telegramin e urimit të Kryeministrit për popullin e Kosovës.

“Të gjithë besimtarëve islamë në Republikën e Kosovës, gëzuar festa e Kurban Bajramit. Mesazhi i kësaj feste është një vlerë e përhershme, sepse na përcjell idenë madhështore se adhurimi i Zotit, mbi të gjitha, nënkupton dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet mes njerëzve. Kjo është festa që bashkon besimin fetar me kauzën e humanizmit”, thuhet në urimin e kryetarit Veseli.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar telegram urimi për festën e Kurban Bajramit edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe.

Në telegramin e urimit të zëvendëskryeministrit Thaçi thuhet se “në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, më lejoni të shpreh urimet e mia për ju në këtë ditë të bekuar. Urojmë që kjo festë, e cila përfaqëson sakrificën dhe unitetin do të sjellë më shumë paqe dhe bashkëpunim mes popujve”, thuhet në telegram.

Më tej, Thaçi ka shtuar se lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve tonë po vijnë duke u thelluar. “Urimet më të mira në këtë ditë të gëzueshme. Eid Mubarak”, thuhet në telegramin e urimit për ndër të festës së Kurban Bajramit.

Top Channel