Pensionet e veteranëve të UÇK-së, organizatat e luftës kundërshtojnë vendimin

23/09/2015 00:00

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar pas vendimit të sotëm që u mor nga Qeveria e Kosovës, e cila ka përcaktuar shumën e pensionit prej 130 euro deri 170 euro, për veteranët e luftës.

“Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, nuk pajtohen kurrsesi me këtë ndarje në bazë të moshës, dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm me demonstrata nëse kjo nuk korrigjohet shpejt nga ana e Qeverisë. Po ashtu kërkojmë të respektohet marrëveshja në mes nesh dhe Qeverisë që pensionet për veteranët të merren në mënyrë retroaktive nga janari i vitit 2015 dhe me lartësinë 220 euro”, thuhet në reagimin e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë reaguar ndaj vendimit të aprovuar sot nga ana e Qeverisë së Kosovës, në të cilin përcaktohet shuma e pensionit që do të përfitojnë veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha për “KosovaPress” se ky kategorizim i veteranëve në moshë është i papranueshëm. Në anën tjetër, sipas Qeriqit, përveç se shuma e caktuar për pension është tejet e vogël, ata nuk janë në dijeni se as kur do të fillojnë t’i marrin ato.

“Ne nuk jemi në dijeni kur do të fillojë të zbatohet, a do të fillojë menjëherë të zbatohet ky udhëzim administrativ, apo vendim sido që ta quajmë, apo me këtë po mundohen të përfitojnë kohë siç ka ndodh edhe më herët.. . mos te krenohen aspak qeveritarët, por le të turpërohen për këtë vendim që e kanë marrë për pensionin e veteranit të luftës, sepse nuk është një pension i dinjitetshëm, por është rast social”, tha Qeriqi.

Top Channel