Franca i shet Egjiptit luftanijet e prodhuara për Rusinë

23/09/2015 20:55

Qeveria e Egjiptit ka rënë dakord për të blerë dy anije luftarake tip “Mistral”, të prodhuara nga Franca fillimisht për Rusinë.

“Presidenti francez Francois Hollande dhe homologu egjiptian Abdul Fattah al Sisi ranë dakord mbi parimet dhe afatet e blerjes së anijeve”, thuhet në një njoftim të pallatit Elize.

Franca pezulloi planet për t’ia shitur luftanijet Rusisë nga fundi i vitit 2014, pas konfliktit në lindje të Ukrainës.

Presidenca në Paris nuk ka bërë të ditur se cila do të jetë shuma që Egjipti do të paguajë për mjetet luftarake, por ka saktësuar se çmimi është brenda mundësive të Kajros.

Më herët, gjatë negociatave mes palëve ka patur qëndrime të ndryshme sa i takon kostove, por duket se sot janë tejkaluar.

Në vitin 2011, Rusia nënshkroi një marrëveshje me vlerë 1.2 miliard euro për dy luftanijet, secila prej të cilave mund të mbajë 16 helikopterë, 4 pista uljeje dhe 13 tanke.

Moska kishte paguar fillimisht 840 milionë euro përpara se marrëveshja të pezullohej për shkak të konfliktit ukrainas dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Pas negociatash intensive, Parisi zyrtar ra dakord në gusht që të rimbursonte tërësisht Rusinë, si dhe për kontratën për stërvitjen e marinarëve dhe ndërtimin e infrastrukturës portuale në Vladivostok.

Top Channel