Kukës, zjarr në godinën e Hotel Turizmit

24/09/2015 09:25

Një zjarr i përmasave të mëdha është shfaqur mbrëmjen e djeshme në godinën e Hotel Turizmit në Kukës. Flakët e zjarrit, që fillimisht kanë rënë në katin e katërt të godinës, janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës që ka fryrë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, ndërkohë që ekspertët kanë nisur hetimet për shkaqet që çuan në këtë zjarr.

Paraprakisht, dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht nga disa të rinj.

Godina është shkatërruar tërësisht, pasi është lënë në mëshirë të fatit. Kjo godinë është ndërtuar në vitin 1989 dhe ishte një nga godinat më moderne të kohës. Që nga viti 2007, Hotel Turizmi i kaloi Bashkisë Kukës në administrim.

Top Channel