Informaliteti, në Durrës regjistrohen 1300 biznese të reja

24/09/2015 09:50

Aksioni kundër informalitetit vijon me intensitet në Durrës, ku vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 1300 biznese të reja. 47 grupe kontrolli janë shpërndarë në të gjithë territorin e rajonit të Durrësit, që përfshin dhe Kavajën e Krujën, duke kryer rreth 6000 inspektime.

Drejtuesja e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës, Valbona Sako shprehet e kënaqur nga reagimi pozitiv i subjekteve. Por, vetë subjektet, që kanë inventar malli të pafaturuar, po dhe zejtarët e vegjël, ndjehen të pakënaqur. Një pjesë e tyre ka ndërprerë aktivitetin ose ulin e ngrejnë qepenat në varësi të pranisë së kontrollorëve në zonë. Ka dhe nga ata që sfidojnë duke ngritur çmimet e produkteve dhe tregtuar pa kupon tatimor.

Në një treg ende kaotik, të tjera biznese të vogla nuk guxojnë të furnizohen me mall të ri nga frika e konfiskimit. Jashtë kameras ata shprehen se furnitorët me të cilët kanë punuar deri tani nuk i pajisin me fatura të rregullta, ndërsa ndëshkimi i tatimorëve bie mbi ta. Gjatë shtatorit u është konfiskuar malli 71 subjekteve, kryesisht veshje dhe ushqime.

 Lidhur me shqetësimin e tregtarëve të tregjeve agroindustriale në Durrës e Kavajë, Sako deklaron se statusi i ambulantit që kërkohet nga këta tregtarë bie, pasi këto subjekte ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende të përcaktuara.
 
Megjithatë, aktualisht po diskutohet mbi përcaktimin e statusit të këtyre tregtarëve që punojnë me orar të kufizuar, ashtu si dhe të zejtarëve me një marzh të ulët fitimi.

Top Channel