Kolumbi, qeveri-FARK paqe pas 50 vitesh konflikt

24/09/2015 10:25

Takim historik në Kubë për të njoftuar një hap të rëndësishëm drejt paqes në Kolumbi.

Për herë të parë presidenti kolumbian Juan Manuel Santos është shfaqur përkrah liderit të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, Rodrigo Londono, për të njoftuar marrëveshjen për ndërtimin e procesit të paqes në vend.

Angazhimi, i njoftuar nga të dyja palët në ishull parashikon krijimin e një gjykatë speciale që të gjykojë krimet e 50 viteve konflikt, një pikë kjo që kishte mbetur pengesa e fundit e negociatave të nisura 3 vjet më parë.

“Kemi rënë dakord për të krijuar një juridiksion të posaçëm që do të na garantojë që krimet e kryera gjatë konfliktit, në veçanti ato të rëndësishmet, të mos mbeten të pandëshkuar”, ka deklaruar presidenti Santos.

Ai ka shkuar në Havana pikërisht për të njoftuar marrëveshjen me FARK. Zoti Santos ka siguruar gjithashtu se, tani palët duan të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda 6 muajsh.

Fundjavën e kaluar, gjatë vizitës së tij në Kubë, edhe Papa Françesku foli për përfundimin e konfliktit kolumbian.

Marrëveshja e firmosur u shtohet atyre të arritura më herët gjatë negociatave, si reforma rurale në maj 2013, përfshirja e guerrilasve në politikë në nëntor 2013 dhe prodhimi dhe shitja e drogës në maj 2014, duke lënë të fundit atë për çarmatosjen e guerrilasve dhe armëpushimin.

Top Channel