Kukës, vonesa në ndihmën ekonomike

24/09/2015 11:20

Vonesa në dhënien e fondit për ndihmën ekonomike si dhe mosmiratimi në kohë i skemës së ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar në qytetin e Kukësit, ka sjellë pakënaqësi tek përfituesit.

Këta të fundit janë dyndur drejt zyrave postare dhe paratë i kanë marrë në orët e vona të ditës së mërkurë. Sipas fililalit të postës, procedurat e kalimit të lekëve në llogaritë e tyre ka qenë e vonuar, pasojë kjo e vendimit të Këshillit Bashkiak që është marë vetëm 3 ditë më parë.

Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi tek qytetarët, të cilët thonë se edhe për festë ata nuk kanë mundësi që të marrin ndihmën ekonomike, me të cilën mund të blinin diçka për të festuar Kurban Bajramin.

Këshilli Bashkiak i Kukësit, vetëm 3 ditë më parë miratoi listën e familjeve që janë të perfshira në këtë skemë, listë në të cilën janë përfshirë më shumë se 6 mijë e 300 familje të qytetit, por edhe Njësive Administrative të bashkisë së re. Vlera totale që këtyre familjeve duhej t’u shpërndahej, për muajin gusht, është 27 milionë lekë të reja.

Top Channel