Akuzat për CEZ, Meta: Hetim ndërkombëtar, europianët të implikuar

24/09/2015 11:30

“Hapi i parë dhe më kryesor është hetimi ndërkombëtar i kësaj çështje. Nga kjo do të dilet vetëm me hetimin ndërkombëtar”, është shprehur në Kuvend ish-kryeministri Sali Berisha.

Ilir Meta gjithashtu mbështet kërkesën e ish-kryeministrit për hetim ndërkombëtar të asaj që njihet tashmë si afera me borxhet e kompanisë CEZ në vitet 2010 – 2011, kur në krye të qeverisë ishte Berisha dhe zëvendës i tij ishte kreu i LSI.

Por në ndryshim nga ish-kryeministri, Ilir Meta si politikani me i akuzuar për këtë çështje jo pa qëllim kërkon që hetimi të shtrihet në të gjithë veprimtarinë e kompanisë çeke në vendin tonë.

“Dua të mbështesë fuqimisht idenë e një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të thellë ndërkombëtar për të gjithë çështjen e CEZ, që nga dita e parë e aktivitetit në vendin tonë dhe deri më sot”, tha Meta.

Ndërsa Berisha nuk përcaktoi se cili duhet të jetë sipas tij grupi ndërkombëtar që do të hetojë këtë aferë, Ilir Meta kërkon që prokurorët të jenë nga përtej Atlantikut.

“I ftoj krerët e partive parlamentare t’i kërkojmë SHBA të jenë të angazhuara dhe të krijojë juridiskion të veçantë, prokurorëve amerikanë për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj çështje, e cila pretendohet që i ka kushtuar disa qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Ndërsa në media nuk kanë munguar aludimet për marrëdhënie jo të mira të kreut të Kuvendit me ambasadën e SHBA-së, përkundër kësaj Ilir Meta u shfaq me besim tek prokurorët amerikanë.

“Beosj që SHBA në çështjen e shumë debatuar të CEZ jo vetëm që nuk janë të përfshirë po nuk kanë asnjë lloj konflikti interesi”,vijoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Aktualisht legjislacioni shqiptar nuk e lejon kontraktimin e hetuesve të huaj për hetimin e çështjeve shqiptare, çka minimumi do të kërkonte kohë për miratimin e ndryshimeve ligjore.
Por propozimi i Ilir Metës duket se është më afatgjatë. Ai tha se forca e tij politike do të kërkojë gjatë diskutimit të reformës në drejtësi, që të gjitha akuzat ndaj politikanëve të lartë shqiptarë të hetohen nga prokurorë amerikanë. Për t’i paraprirë debatit që mund të hapet për atë sesi një kryetar Parlamenti në detyrë të kërkojë hetim ndërkombëtar, Ilir Meta dha e këtij propozimi.

“Për aq kohë sa të rimëkëmbet besimi te drejtësia jonë, pasi ky besim është i lëkundur”, vijoi më tej

Ai i beri të qartë opozitës se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen për këtë çështje, duke iu rikujtuar se përpara se t’i kërkojnë atij largimin duhet të shohin letrat që ministri i Financave të asaj kohe Ridvan Bode i çonte ERE-s ku paralajmëronte riskun nga favorizimi i CEZ në dëm të KESH për çmimin e energjisë elektrike.
Ndërsa në Vjenë po zhvillohet një proces gjyqësor inicuar nga kompania që ishte kontraktuar për mbledhjen e borxheve të CEZ-it, në Shqipëri nuk është hapur asnjë hetim i asnjë lloji lidhur me akuzat që janë bërë edhe publikisht lidhur me këtë aferë.

Top Channel