Prrenjas, rrezikohen nga shembja e shkëmbit; evakuohen 35 familje

24/09/2015 12:10

Të paktën 35 familje në fshatin Rrajcë të Prrenjasit janë në rrezik serioz për jetën, pasi një shkëmb në rrëzë të malit ka nisur të shëmbet.

Rruga e shembjes kalon pikërisht mbi shtëpite e tyre, që deri tani janë goditur nga gurë më të vegjël.

Ekspertët e emergjencave civile bëjnë të ditur se në rast reshjesh, situata bëhet edhe më e rrezikshme, pasi shkëmbi rrezikon rënien mbi banesa.

Për këtë arsye, kryetarja e bashkisë dhe autoritetet e tjera vendore u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë, ndërsa janë gjetur rrugë alternative për strehimin e tyre.

Paraditen e së enjtes është nisur në fshatin Rrajcë një grup ekspertësh nga Prefektura e Elbasanit dhe inxhinierë gjeologë, që do të bëjnë vlerësimin e plotë për situatën, duke dhënë edhe konkluzionet për masat që duhen marrë.

Top Channel