Masakra e trefishtë në Vlorë, Prokuroria çon dosjen në gjykatë

24/09/2015 12:35

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për tre persona, të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese. Ngjarja për të cilën akuzohet Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj ka ndodhur më 7 prill të këtij viti në lagjen ‘1 maji” të qytetit, ku mbetën të vrarë tre persona.

Prokuroria e Vlorës sqaron se fillimit të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurisë “arrest me burg”, por më pas gjykata ka zbutur masën për Ani Begajn dhe Bertil Aliajn në detyrim paraqitje. Një masë më e butë është kërkuar edhe për autorin kryesor, Aleksandër Llanaj.

Seanca për këtë të fundit ishte parashikuar të zhvillohej ditën e djeshme, por u shty për shkak të mungesës së prokurorit.

“Prokuroria e Vlorës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj tre personave, duke synuar të shmangë në këtë mënyrë shqyrtimin e ndryshimit të masës së sigurisë nga i njëjti gjyqtar që ka zbutur masën edhe për dy të pandehurit e tjerë. Sipas procedurës, gjyqtari që ka qenë pjesë e shqyrtimit të masave të sigurisë gjatë fazës së hetimeve, nuk mund të jetë më pjesë e shqyrtimit gjyqësor pasi nis gjykimi”, njofton prokuroria e Vlorës.

Top Channel