FSHF, takim për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Serbi

24/09/2015 00:00

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua një mbledhje konsultative në lidhje me sfidën që kombëtarja shqiptare do të luajë në 8 tetor ndaj Serbisë për eliminatoret e Euro 2016.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, Keni Skot, ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zariç, përfaqësues të Federatës Serbe të Futbollit, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Në përfundim të këtij takimi, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, bëri të ditur se e gjithë vëmendja ishte përqendruar te mbarëvajtja e kësaj ndeshjeje.

“Ishte një takim informues në vazhdën e bisedimeve të zhvilluara gjatë kësaj kohe për një organizim sa më të mirë të kësaj ndeshjeje. Të pranishmit u informuan për masat që duhet të merren në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë”, u shpreh Shulku.

Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, Keni Skot, ata të FSHF-së dhe Policisë së Shtetit shkuan në Elbasan për të inspektuar stadiumin “Elbasan Arena”, ku do të zhvillohet edhe kjo përballje.

Top Channel