Skanimi në dogana, Fagu: Në Kakavijë nis më 7 tetor

24/09/2015 14:45

Pranvera Fagu, drejtoresha e përgjithshme e Doganave ka qënë e pranishme në jug të vendit në zonën e Dropullit, një bashki që numëron rreth 80 biznese të mëdha, dhe ka vizituar disa prej tyre.

Ajo tha se partnerët kryesorë të doganave mbeten bizneset serioze dhe të ndershme si ato që po viziton në jug të vendit dhe se dëshiron të përcjellë mesazhin e mbështetjes për to. Këto biznese të suksesshme tha Fagu, kontribuojnë prej vitesh për shtetin janë dhe garancia më e madhe për konsumatorët.

“Në këtë luftë kundër informalitetit ne sigurisht partnerin kryesor kemi biznesin e ndershëm. Biznes i ndershëm do të thotë zbatim i legjislacionit, i atij fiskal, të punës, dhe sigurisht në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit. Ky është standardi që ne kërkojmë të arrijmë në këtë luftë kundër informalitetit”, tha Fagu.

Duke komentuar procesin e skanimit të kontenierëve dhe automjeteve në pikat doganore, drejtoresha e përgjithshme njoftoi se skanimi do të bëhet aktiv dhe në Kakavijë, pas Durrësit duke filluar nga 7 tetori. Në të gjithë vendin do të jenë 5 pika kontrolli, tre fikse dhe dy të lëvizshme. Dhe pse ka reduktuar tarifën nga 39 në 22 euro për deklaratë , ky koncesion rëndon jo pak kosotot mbi biznesin. Veçanërisht në disa industri si ajo e fasonit, të cilat kanë një numër të madh deklaratash doganore në vit. Sipas përfaqësuesve nga kjo industri koncesioni mund të rrisë koston deri në 7 mijë euro në muaj për kompani të caktuara. Zonja Fagu është shprehur se do të ketë lehtësira dhe në këtë drejtim.

“Nuk është shërbim i munguar, po duhet vënë në pah pozicionin e drejtorisë së përgjithshme të Doganave, që ne jemi ekzekutues. Ligji është shumë i qartë, është një tarifë që paguhet për çdo deklaratë doganore. Biznesi paguan tarifën e skanimit për deklaratë doganore. Është e vërtetë që ka një disporcion të tillë, duke iu referuar gjithmonë deklaratës doganore, po për këtë është përgatitur një ndryshim ligjor që këto biznese të paguajnë si gjithë bizneset e tjera, pra, vetëm një herë”, vijoi znj. Fagu.

Vizita në Jug ka vijuar me monitorimin e pikës doganore të Kakavijës dhe emërimin e drejuesit të ri të saj, Mirel Beshiku. Kakavija mbetet porta më e madhe tokësore e shkëmbimeve doganore në Shqipëri.

Top Channel