Basha uron Bajramin: Zoti qoftë pranë shqiptarëve

24/09/2015 15:05

Kryetari i PD, Lulzim Basha u është bashkuar urimeve me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Të nderuar miq, vëllezër dhe motra, besimtarë myslimanë, gëzuar Kurban Bajramin! Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare, shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja!”, ka uruar Basha.

Ai është shprehur se, “kjo është një ditë kur kremtohet dashuria për Zotin dhe dashuria për njëri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten”.

“Fatkeqësisht, ky Kurban Bajram e gjen vendin tonë me themele të tronditura të ekonomisë, me një varfëri që ka pllakosur mijëra familje, mijëra shqiptarë kanë marrë rrugët e emigrimit, shumë të rinj enden rrugëve të papunë e të pashpresë”, ka thënë Basha.

“Zoti na ka bërë sprovë për njeri-tjetrin”, citon ai Librin e Shenjtë, duke shtuar se, “ndaj si në këtë ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, për të bërë diçka të mirë, për njeri-tjetrin, për familjen, për shoqërinë e ne veçanti për ata që janë me në nevojë, ata që na tregojnë vlerat e vërteta”.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti qoftë pranë shqiptarëve kudo ku ndodhen!”, mbyll Basha mesazhin e tij.

Top Channel