Kriza e refugjatëve, Merkel: Prej saj do të varet forma e Europës

24/09/2015 16:20

Pavarësisht rezultateve shpresëdhënëse të Samitit të Brukselit, kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëron se zgjidhja e krizës së emigrantëve është ende e largët dhe se mënyra si do të veprohet tani për menaxhimin e saj, do t’i japë formë Europës në periudhën afatgjatë.

Masat e miratuara të mërkurën, nuk përbëjnë veçse  “një lëvizje fillestare”, tha shefja e ekzekutivit gjerman përpara ligjvënësve në Parlament, ndërsa rishpërndarja e emigrantëve, sipas saj, nuk është e mjaftueshme.

“Jam thellësisht e bindur se Europës nuk i duhet thjesht një skemë selektive sistemimi, por një proces i përhershëm për një shpërndarje sa më të drejtë të refugjatëve mes shteteve anëtare. Hapi i parë është hedhur, por jemi ende shumë larg asaj që duhet të arrijmë”, u shpreh Merkel.

Vërshimi i emigrantëve në kufijtë e Europës vazhdon, ashtu siç vazhdojnë edhe mosmarrëveshjet mes shteteve të përfshirë në këtë ngërç, më të fundit prej tyre: Serbia dhe Kroacia.

Hungaria njoftoi mbi 10.000 mbërritje të reja vetëm të mërkurën. Totali i emigrantëve të dyndur në kontinentin e vjetër këtë vit llogaritet në gati gjysmë milionë. E gjithë situata ka nxjerrë në pah ndasitë e thella mes vendeve anëtare të bllokut, ndërsa së fundi është bërë shkak për paralajmërimet e Komisionit Europian se, po nuk u zgjidh siç duhet ky ngërc, atëherë shumë shpejt e gjithë Europa mund të dëshmojë rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë.

Top Channel