Papa Françesku në Kongresin amerikan: Mbroni vlerat

24/09/2015 16:25

“Jam i nderuar me ftesën për të mbajtur fjalën përpara kësaj asambleje. Kjo është toka e njerëzve të lirë dhe kjo sallë është shtëpia e vlerave, ndaj mbroni vlerat, mbroni të dobtit”.

Me këtë mesazh, Papa Françesku u shndërrua në Papën e parë në histori që u drejtohet të dyja dhomave të Kongresit amerikan, si Senatit, ashtu edhe Dhomës së Përfaqësuesve.

“Mbroni me instrumentat ligjore imazhin që Zoti krijoi në çdo fytyrë njerëzore. Si ligjvënës, është detyra juaj që ta ngrini këtë komb. Ju jeni fytyra e këtij populli dhe përfaqësuesit e tij. Jeni këtu për të siguruar dinjitetin dhe mirëqënien e bashkëqytetarëve tuaj, sidomos atyre në nevojë”, tha Papa.

Kreu i kishës katolike përmendi Lincoln, Luther King, Doroty Day dhe Thomas Merton si shtylla e vlerave mbi të cilat janë ngritur Shtetet e Bashkuara dhe u kujtoi ligjvënësve amerikanë që të mos e harrojnë këtë.

Papa u ndal edhe tek ekstremizmi.

“Asnjë besim nuk është imun nga ekstremizmi ideologjik. Kjo do të thotë se të duhet jemi të vëmendshëm ndaj çdo forme fondamentalizmi, si fetar ashtu edhe të çdo lloji tjetër”, tha ai.

Një tjetër çështje që nuk mund të anashkalohej nga Papa Françesku, ishte edhe ajo e emigracionit. Bota sot , tha ai, po përballet me një krizë në përmasa që nuk është parë që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk duhet të trajtojmë emigrantët si numra, por si qënie. T’i shohim në sy, të dëgjojmë historinë  e tyre dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme për t’i ndihmuar që të dalin nga situata e tyre”, tha Papa Françesku.

Një ditë më parë, kreu i Vatikanit u ndal në Shtëpinë e Bardhë ku u prit nga Presidenti Obama. Mesazhi i përcjellë nga ky takim lidhej me emigracionin dhe me ndryshimet klimatike.

Kjo është hera e parë që një Papë mban një fjalim përballë dy dhomave të Kongresit amerikan. Në Shtetet e Bashkuara numërohen 80 milionë katolikë. Gjashtë prej nëntë anëtarëve të Gjykatës Supreme në SHBA janë katolikë, 31 përqind e ligjvënësve në Kongres po ashtu, President J.F. Kennedy ka qenë katolik, ndërsa në administratën aktuale, Joe Biden është i këtij besimi.

Top Channel