Zv.ministri i Integrimit, në Sllovaki; vendin që s’njeh pavarësinë e Kosovës

24/09/2015 16:40

Zëvendësministri i Integrimit Europian, Ramadan Ilazi, së bashku me një grup të shoqërisë civile po qëndron në Sllovaki, për një vizitë në kuadër të projektit “Lidhja me Europën” të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Sipas një komunikate për mediat, synimi kryesor i këtij projekti është përafrimi, njoftimi dhe thellimi i komunikimeve të veprimtarëve të ndryshëm të shoqërisë kosovare, me ata të shoqërive të shteteve të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Sllovaki, zëvendësministri Ilazi ka zhvilluar takime me përfaqësues të Parlamentit, qeverisë, shoqërisë civile dhe mediave, si dhe ka mbajtur një debat publik me temën “Sfidat e Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe marrëdhëniet me shtetet jo-njohëse”.

Sllovakia është njëra nga 5 vendet e Bashkimit Europian, që nuk e njohin ende Pavarësinë e Kosovës.

Top Channel