Siri, Putin planifikon sulme ajrore më vete

24/09/2015 17:00

Presidenti rus, Vladimir Putin po përgatitet për sulme ajrore të njëanshme kundër Shtetit Islamik në Siri, nëse Shtetet e Bashkuara do të refuzojnë propozimin e tij për të bashkuar forcat. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Bloomberg” këtë të mërkurë, duke cituar dy burime të informuara mbi këtë çështje.

Rusia ka shtuar praninë ushtarake brenda kufijve të Sirisë, por edhe furnizimet me armë ndaj ushtrisë siriane, në atë që konsiderohet si përshkallëzim të mbështetjes së saj ndaj aleatit prej një kohe të gjatë, Presidentit Bashar al-Assad, e duke shkaktuar paralajmërime për destabilizim të mëtejshëm të situatës nga vendet e Perëndimit, që kundërshtojnë Assadin.

Një burim diplomatik rus ka bërë të ditur për “Reuters” se, Moska sheh gjithnjë e më shumë mundësi për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit në Siri, si dhe për t’i dhënë fund krizës që ka hyrë tashmë në vitin e saj të pestë.

“Bloomberg” raportoi se kursi i preferuar i veprimit nga Putin është që të detyrojë qeverinë amerikane dhe aleatët e saj të koordinojnë fushatën e tyre kundër militantëve të Shtetit Islamik me Rusinë, Iranin dhe ushtrinë siriane. Të cituar kanë qenë një person i afërt me Kremlinin dhe një këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë.

Ndërkohë, duke cituar një burim të tretë, “Bloomberg” bën të ditur se propozimi i Putinit bën thirrje për një “gjurmim paralel” të veprimeve ushtarake të përbashkëta, të shoqëruara me një tranzicion politik duke mbajtur larg Assadin, një kërkesë kyçe e amerikanëve. Rusia ia ka komunikuar këtë propozim edhe Shteteve të Bashkuara, sipas këtij shërbimi informativ.

Megjithatë, “Bloomberg” është informuar edhe mbi një irritim të Putinit me heshtjen e vazhdueshme të SHBA-ve për t’iu përgjigjur këtij propozimi dhe se është gati të veprojë edhe i vetëm në Siri, nëse do të jetë e nevojshme.

Top Channel