Kinë, operacion masiv kundër triadave, 19 mijë të arrestuar

24/09/2015 18:10

Autoritetet kineze përfunduan me një numër rekord prej 19 mijë të arrestuarish një operacion 3-mujor kundër grupeve kriminale ndërkombëtare që operojnë me drogën, prostitucionin, trafikun dhe bixhozin, të njohura ndryshe si Triada.

Lajmi njoftohet nga mediat shtetërore në Kinë, ku thuhet se arrestimet ndodhën në provincat Hong-Kong, Makau dhe Guangdong.

Policia kineze thotë se triadat, të lindura si grupe kriminale fillimisht në ishujt rreth e rrotull dhe me shtrirje të aktivitetit kriminal dhe lidhje në gjithë globin, kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin e tyre në Kinën kontinetale.

“Duam t’i përcjellim publikut mesazhin se do të tregojmë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe çdo aktiviteti tjetër të paligjshëm”, deklaroi kreu i policisë kineze për Hong-Kongun, Au Chin-chau.

11 mijë persona u arrestuan në Guangdon, mbi 4 mijë në Hong-Kong, rreth 1100 në Kinën kontinentale dhe pjesa tjetër në Makau. Në operacion u kontrolluan më shumë se 7500 banesa dhe u sekuestruan miliona dollarë kësh, bashkë me drogë dhe mallra kontrabandë.

Top Channel