Rrëfimi i çuditshëm i iranianit 25-vjeçar

24/09/2015 18:50

Një 25-vjeçar iranian ka bërë atë që shumë persona nga vendet e Ballkanit as nuk do ta mendonin ndonjëherë ta bënin. Ai iu drejtua një komisariati policie në Manchester dhe u kërkoi forcave të rendit ta deportonin atë për në Iran, duke deklaruar se “ishte mërzitur” me jetesën në qytetin britanik.

Arash Aria u arrestua menjëherë pasi u tha oficerëve të policisë se kishte qëndruar në Britani për më shumë se 10 vite në mënyrë ilegale, por më pas u lirua, kur kontrollet e emigracionit zbuluan se ai kishte pasur leje qëndrimi në ishullin britanik.

Policia e Manchesterit e përshkroi këtë episod si të “çuditshëm”.

25-vjeçari është shprehur për “Daily Telegraph” se “njerëzit në Manchester nuk janë mikpritës. Atje ka fjalë dhe vetëm fjalë, dhunë dhe shumë gjëra të tjera të pahijshme”.

“U përpoqa t’i injoroja këta njerëz, por thjesht jam mbingopur me ata dhe nuk mund ta përballoj më këtë mënyrë jetese. Nuk më kanë trajtuar me respektin që meritoj këtu. Njerëzit nuk janë aspak miqësor në Manchester. Shpesh ata sillen si të vrazhdë me mua dhe s’më pëlqen kjo gjë”, vijon ai rrëfimin.

“Veçanërisht gjatë vitit të fundit më ka ecur gjithçka keq. Jam përpjekur të sillem miqësor dhe i sjellshëm, por ata tallen me mua, vetëm se jam i huaj, gjë që për mua i bën ata të çuditshëm”.

Aria, i cili shprehet se ka qenë i papunë dhe shfrytëzonte vetëm përkrahjen sociale që kur ishte larguar nga eksperiencat e mëparshme si kamarier dhe barmen, tashmë shpreson që të rinovojë pasaportën e tij iraniane, që i ka skaduar, dhe të rikthehet në Shiraz, në jugperëndim të Iranit.

Në fund, ai shton se gjithçka kërkon në jetë është që të “jetë dikushi”.

Top Channel