Rummenige: Besoj se Guardiola do të qëndrojë te Bayern

24/09/2015 00:00

Shefi ekzekutiv i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge ka deklaruar se klubi bavarez do të diskutojë situatën në lidhje me kontratën aktuale me trajnerin spanjoll, Pep Guardiola, në një të ardhme të afërt.

Teknikut 44-vjeçar pritet t’i skadojë kontrata me gjigantët e Bundesligës këtë verë, ndërkohë që edhe këtë sezon klubi i drejtuar prej tij duket si favoriti kryesor për të fituar kampionatin gjerman, të tretin me radhë nën drejtimin e tij, por të katërtin për Bayernin, nëse kujtojmë se Guardiola e mori drejtimin e ekipit pas largimit të Jupp Heynckes.

Rummenigge beson se kampionët e Gjermanisë do të jenë në gjendje të bindin katalanasin Pep Guardiola të qëndrojë, kur të nisin bisedimet për rinovimin e kontratës gjatë javëve të ardhshme.

E ardhmja e tij, pas përfundimit të kontratës aktuale në qershor të vitit 2016, është ende e paqartë, edhe për shkak të raportimeve prej një kohe të gjatë se ai do të largohet me synimin për të shkuar në Premier League, për të drejtuar Manchester Cityn.

Megjithatë, CEO i Bayernit, i cili mban njëkohësisht edhe postin e kreut të Shoqatës së Klubeve të Europës, ka shprehur optimizmin e tij se spanjolli do të rinovojë me Bayernin për të qëndruar përtej kontratës aktuale në Gjermani.

“E vetmja gjë e qartë është se, ne kemi një ekip shumë të mirë dhe një i tillë ka nevojë për një trajner shumë të mirë”, tha Rummenigge, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “DPA”. “Kemi pasur një trajner si Jupp Heynckes dhe tashmë kemi një trajner si Pep Guardiola. Ndaj dhe jam optimist se Pep do të qëndrojë me ne edhe përtej 30 qershorit 2016. Ai ndihet mirë, ka të gjithë mbështetjen e nevojshme për të vazhduar, e megjithatë do të duhet pak kohë derisa ai të vendosë për Bayernin”, është shprehur shefi ekzekutiv i bavarezëve, Rummenigge.

Top Channel