PD, dy nisma për aferën “CEZ”; Kushtetuesja dhe ndërkombëtarët

24/09/2015 20:00

“Bëhet fjalë për atë që, nëse shkon drejt kompletimit, mund të quhet pa frikë vjedhja e shekullit ndaj shqiptarëve”. Kjo fjali e para 14 muajsh e kryetarit të opozitës ka të bëjë me marrëveshjen që Qeveria kishte arritur me çekët e CEZ-it për t’u tërhequr nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe për t’i paguar CEZ-it 95.5 milionë euro.

Qeveria e quante çështjen të mbyllur me mirëkuptim, ndërsa opozita si një akt kriminal, që i hiqte Shqipërisë mundësinë e artë për të fituar në arbitrazh të paktën 500 milionë euro detyrime me faturë, që pala çeke i kishte palës shqiptare dhe deri në 3 miliardë dollarë dëme të shkaktuara nga shkatërrimi me dashje i operatorit të shpërndarjes.

14 muaj më parë, zoti Basha shprehu vendosmërinë e opozitës, për të parandaluar me mjete ligjore hyrjen në fuqi të marrëveshjes me CEZ-in, më 17 Tetor 2014.

“Opozita do të vazhdojë të investohet fuqishëm, me të gjitha instrumentet ligjore, kushtetuese, politike, për të ndalur këtë vjedhje, që është e barabartë me buxhetin e një viti të Republikës së Shqipërisë, është e barabartë me një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thoshte 14 muaj më parë Basha.

Kur çështja “CEZ” është rihapur sërish, Partia Demokratike e sheh veten se nuk ka bërë asgjë nga ato që premtoi korrikun e vitit të shkuar. Por mesa duket, për opozitën është e përshtatshme shprehja “më mirë vonë, se kurrë”. Pas 14 muajsh, Partia Demokratike njoftoi se javën e ardhshme do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Qeverisë së Edi Ramës dhe CEZ-it për tërheqjen nga arbitrazhi ndërkombëtar.

“Partia Demokratike argumenton qartë në kërkesën e saj se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit, dhe kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e aferës më të madhe korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Metës”, deklaroi në një dalje për mediat mbrëmjen e së enjtes, deputeti demokrat, Eduard Halimi.

Hapi tjetër i opozitës është konkretizimi i nismës se ish-kryeministrit Berisha për hetim ndërkombëtar.  Për këtë çështje të hënën pritet që opozita të dorëzojë projektligjin për hetimin ndërkombëtar.

“Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro”, tha deputeti demokrat.

Partia Demokratike është e bindur se Edi Rama dhe Ilir Meta po bëjnë gjithçka për ta mbyllur hetimin e kësaj çështjeje që, sipas opozitës, po provon çdo ditë përfshirjen direkte të krerëve të koalicionit qeveritar në skemën e korrupsionit më të madh në historinë e vendit.

“Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ”, tha Halimi.

Partia Demokratike kujtoi se gjatë qeverisjes Berisha u dërguan për ndjekje penale drejtues të CEZ-it dhe të DIA-s, por veprimi kundër çekëve u zhbë me nen të veçantë në marrëveshjen për tërheqjen e Shqipërisë nga arbitrazhi me ardhjen në pushtet të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Top Channel