Top Story, akuzat për trafik ndaj Saimir Tahirit

24/09/2015 00:00

Saimir Tahiri është ministri më i sulmuar i kësaj mazhorance nga ana e opozitës, e cila e lidh emrin e tij me trafikun e drogës.

Akuzat e rënda u përshkallëzuan në fillim të këtij sezoni politik, ku demokratët paraqitën si argumenta deklaratën e një ish-zyrtari të anti-drogës, që deklaron se automjeti i personal i ministrit të Brendshëm është përdorur për trafik droge.

Por si qëndron e vërteta e këtyre akuzave, në një kohë kur të statistikat tregojnë një sukses të policisë në luftën kundër drogës, veçanërisht kundër kultivimit të hashashit?

Për këto dhe të tjera çështje ishte i ftuar përballë Sokol Ballës vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Aksioni kundër hashashit

Ministri Tahiri e nisi fjalën e tij duke u ndalur tek operacionet kundër mbjelljes së hashashit.

Sipas Tahirit, presioni i policisë ka detyruar zhvendosjen e mbjelljes së bimës narkotike në zonat më të thella të vendit. Ai tha se lufta ndaj fenomenit mbetet ende një sfidë për Policinë e Shtetit.

“Falë presionit të policisë rrugët e trafikut janë diversifikuar sot, falë presionit të policisë kriminelët ndërmarrin shtigje të reja. Avionët më drogë për mua janë një lajm i mirë. Është lajm i mirë nëse krimi detyrohet të bëjë çmenduri të tilla; të vijë me avionë dhe të trafikojë, sepse do të thotë që nuk e bën më nga portet”, tha Tahiri.

Ministri solli në kujtesë të dhënat e publikuara disa ditë më parë, duke i krahasuar me të dhënat e luftës kundër fenomenit nga qeveria e PD-së.

“Kemi bërë punë mjaftueshëm që Shqipëria të mbillet 8 herë më pak me drogë. Kemi shkatërruar 99.2 përqind të sipërfaqes së mbjellë. Ndryshimi është se ne i shkojmë pas problemit dhe mundohemi ta luftojmë krimin. Janë asgjësuar 700 mijë rrënjë, që do të thotë më shumë se 700 tonë drogë, që nëse do të tregtoheshin me çmimin e shitjes me pakicë në Itali, do të thotë 4-5 miliardë euro, ndërsa Policia e Shtetit mezi gjen buxhet për të shkatërruar parcelat në majë të maleve”, deklaroi ministri.

Tahiri i quajti absurde akuzat.

“Mua sot opozita me sulmon përditë për trafikun e drogës, ndërsa dje e linin Shqipërinë të zhytur në drogë dhe nuk fshihnin as vendimin politik për ta luftuar problemin, ndërsa ne sot e kemi frenuar 8 herë më shumë fenomenin, por edhe kemi shkatërruar 99 përqind të parcelave të mbjella. Nëse dje zjarrfikëset ujisnin parcelat me drogë, sot nuk bëhet fjalë fare. Sot bëhet fjalë që krimi gjen rrugë dhe shtigje për aktivitetin kriminal dhe ne po ua bëjmë jetën e vështirë”, u shpreh Tahiri.
 
Ministri vlerësoi se përhapja e mbjelljes së hashashit në parcela të vogla në një pjesë të madhe të territorit të vendit ishte parashikuar si pasojë e ndërhyrjes në Lazarat.

“Ishte parashikuar që efekti i parë i zhdukjes së Lazaratit ishte krijimi i parcelave të vogla në gjithë Shqipërinë, të përhapura në gjithë vendin. Jemi të ndërgjegjshëm që zhdukja e Lazaratit prodhoi efektin e menjëhershëm, që krimi do kërkojë shtigje dhe rrugë të reja për të mbjellë kanabis”, tha ai.

Duke u ndalur sërish tek shifrat e asgjësimit të drogës, ministri Tahiri, u pyet mbi fenomenin që duket se po vihet re këto dy vite të qeverisjes së majtë; sofistikimi i krimit, i mënyrës së trafikut. Për këtë, opozita ka akuzuar si ministrin e Brendshëm, ashtu edhe atë të Mbrojtjes se fiknin radarët për të lejuar hyrjen në hapësirën ajrore të avionëve të trafikut.

“Nuk merret policia me ajrin. Merret me hetime proaktive, por nuk merret fare me ajrin. Mesa jam interesuar me ministren e Mbrojtjes, Saliu i ka lënë në gjendje jofunksionale. Në rastin e fundit, që lutej opozita, që u kap me transport droge nga Lece në Torino, që të kishte ardhur në Shqipëri. Por jo! Nuk kishte ardhur në Shqipëri”, tha ai.

Ministri i quajti akuzat e opozitës një baltosje, që po keqinformon publikun.
 
“Këtu po diktohet një keqkuptim kolektiv me njerëzit me luftën kundër drogës. Një qeveri që dëshmon se po merret me fenomenin, arreston, dënon, arreston punonjës policie, si mund të merret me trafik?!”, deklaroi Tahiri.

Njëri prej rasteve të trafikut me avionë dhe i pari i kapur, ishte ai i avionit të rrëzuar në Divjakë dhe kapjes së pilotit Riformato. Ministri Tahiri tha se rasti në fjalë është ende nën hetim nga policia, por çështja e procedimeve varet nga prokuroria dhe gjykatat.

Në pjesën e dytë të emisionit “Top Story” është folur më në gjerësi në lidhje me akuzat e tjera të rënda të ngritura ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndër të tjera edhe përfshirja e drejtpërdrejtë e tij në aktivitete kriminale si trafiku i drogës. Cila është e vërteta e makinës së tij, që sipas akuzave të opozitës është përdorur edhe nga banda kriminale të drogës në qytetin e Vlorës?

E teksa u risollën në kujtesë akuzat e bëra nga opozita në Parlament, por edhe nga selia e Partisë Demokratike në lidhje me këto akuza, ministri Saimir Tahiri veçoi vetëm një thënie nga ish-kryeministri Sali Berisha. “Për Saliun, Gate Mahmutaj është burrë më i mirë sesa ne. Dhe për këtë e besoj tërësisht Berishën kur foli në Parlament, sepse ai person është e vërteta më e madhe e aksionit të zhvilluar në Lazarat, ku Gatja ishte një person që zotëronte toka të shumta, në të cilat mbillte hashash”.

Dëshmia e ish-kreut të Antidrogës Fier, Dritan Zagani

I pyetur në lidhje me makinën Audi A8, me targa AA 003 GB dhe pronësinë e saj, që sipas dëshmisë së dhënë nga ish-funksionari i lartë i policisë në Fier është përdorur nga persona të dyshimtë si trafikantë droge në Vlorë,  kushërinj me ministrin, Saimir Tahiri ka theksuar se me deklaratat e tij qesharake, ish-funksionari i policisë synon që të marrë azil në vendet e Bashkimit Europian.

Saimir Tahiri është ndalur paksa në personazhin “Zagani”, i cili akuzohet për disa shkelje në polici, është vënë në përgjim dhe pas hetimeve të shumta për këto akuza u arrestua dhe më pas u la në “arrest shtëpie”, vendim që ai nuk e respektoi duke u arratisur dhe duke shkuar në një vend të BE-së, ku edhe kërkon azil politik.

“Unë jam mësuar me sulmet politike dhe nuk më bën më përshtypje. Siç edhe bëri të ditur një organizatë jofitimprurëse, janë 885 konferenca shtypi kundër meje, të cilat kanë filluar që para se unë të bëhesha ministër i Brendshëm. Kanë nisur që kur PD-ja i kërkoi Presidentit Nishani mosdekretimin tim si ministër, me arsyetimin sepse isha përdorues droge, akuza që shpesh janë për konsum politik. Sulmet me shpifje dhe baltosje kuptohen, por kur s’janë të tilla dhe bëhen sa për të krijuar zhurmë? Dua t’iu kujtoj se kemi një hetim paralel që po ndiqet ndaj akuzave të Izet Haxhisë, ish-truprojës së Sali Berishës, edhe ky azilant në vendet e BE-së, por që ne si qeveri nuk e kemi parë për konsum politik, sepse do ta merrnim si të tillë nëse personi akuzues do të ishte këtu dhe do ta bënte këtë akuzë e do ta ndiqte në institucionet tona. Edhe Haxhia vetë duhet të vijë edhe të vendoset në dispozicion të hetimeve të Prokurorisë për këtë çështje e të bëjë të ditura gjithçka këtu e jo nga arratia. Do të isha i lumtur që edhe Zagani të vinte këtu, të kishte guximin të vinte këtu dhe ta ndiqte këtë çështje ndaj meje në Prokurori, përveç se të mbyllte çështjet e tij me drejtësinë”, deklaroi ministri Tahiri.

Makina Audi A8, AA 003 GB

Zagani ka thënë se në makinën e Tahirit kishte hipur një trafikant droge dhe pronësinë e makinës e kishte verifikuar vetëm një ditë më pas. “Një pyetje mund të bëja unë të ligjshme: ku e dinte ai që nuk ma kishin vjedhur, apo që nuk e kisha shitur?”. Me këtë pyetje e ka nisur mbrojtjen e tij në lidhje me pronësinë e makinës ministri i Brendshëm, Tahiri.

Duke theksuar se është vënë në atë detyrë që është, sepse qytetarët e kanë votuar që të mos merret me baltosjen e opozitës, por që të merret me reformimin e policisë në mënyrë që ajo të sillet në mënyrë korrekte ndaj qytetarëve, të punojë për t’u shërbyer qytetarëve dhe të luftojnë rastet kriminale, Tahiri nënvizon gatishmërinë e tij për t’u vënë në dispozicion të hetimeve të Prokurorisë.

“Pas akuzave të opozitës ndaj meje, si asnjë tjetër në qeveritë e kaluara, kam shkuar në Prokurori dhe i kam thënë kryeprokurorit se jam në dispozicion të tij dhe le të më hetojë për gjithçka. Diçka që nuk e kanë bërë të tjerët. Kur ‘kryeshqupisti’ ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, çonte policinë para Prokurorisë, ndërsa vetë u shmangej hetimeve me raporte false shëndetësore dhe me udhëtime jashtë shtetit. Çështja e makinës time, shkurt dhe pastër, është kjo: makinën e kam shitur më 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. Ia kam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe, në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantët e drogës nuk kanë qenë kurrë të proceduar, në hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge”, ka thënë Saimir Tahiri në “Top Story”.

Përdorimi i paligjshëm i sistemit TIMS

E çuditshme për ministrin Tahiri, edhe pse jo e pakuptueshme nga ana e tij, është fakti se si ka mundësi që opozita të mos “gjejë mundësitë e saj për të zbuluar qoftë edhe një vendim dënimi të tyre për trafik droge”. Më pas akuzon drejtuesit e opozitës se kanë nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS dhe i kanë publikuar në mënyrë të paligjshme.

“Ata kanë nxjerrë një të dhënë timen nga sistemi TIMS në mënyrë të paligjshme, gjë që e bën vetëm Prokuroria dhe kryeministri. E kam mundësinë edhe unë të shoh se, me cilat makina kanë dalë Berisha, Luli, Noka, Ristani e kushdo tjetër, por për mua ka më shumë rëndësi morali në detyrë. Megjithatë më lind e drejta të pyes: meqë e nxorri TIMS-in tim, edhe pse në mënyrë të paligjshme, pse nuk gjen opozita një vendim dënimi të kushërinjve të mi të largët?”, u shpreh Tahiri.

Kostoja e të bërit opozitë ndaj fëmijëve të Berishës

E për të shpjeguar të vërtetën e makinës me targa AA 003 GB, Tahirit i është dashur sërish të rikthehet në kohën kur pushteti ishte në duart e demokratëve.

“Makina është në emrin tim për një fakt të thjeshtë, që është edhe dëshmi e pushtetit që kemi lënë pas. Në opozitë, unë kam denoncuar fëmijët e kryeministrit si të korruptuar dhe jam dënuar me 4 milionë lekë gjobë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe me 2 milionë lekë gjobë në Apel nga ai gjykatësi i famshëm Gjin Gjoni. Në atë kohë do të duhej të më merrnin të gjithë rrogën time vjetore, që të paguaja gjobat e vendosura prej tyre. Edhe për kë? Për dy fëmijët e Sali Berishës, të cilët janë bërë të famshëm për këdo, të gjithë i njohin si Xeni dhe Gita, dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë në jetën e tyre në Prokurori. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës. Edhe pasi u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme, do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time mbi makinë?”, ishte i gjithë shpjegimi i Tahirit në lidhje me pronësinë e makinës.

Në fund të kësaj çështjeje, Tahiri është shprehur se edhe ata, kur ishin në opozitë akuzonin pushtetin e atëhershëm, por sipas tij, këtë e bënin sepse ata zgjidhnin të mos shkonin kurrë para Prokurorisë apo gjykatës, e këtu deklaroi se “në atë kohë, Luli që sot sillet si kaposh, atëherë ishte thjesht një pulë që nuk guxonte të përballej me drejtësinë. Bënte si ata studentët që kur kanë ndonjë provim të rëndësishëm bëjnë sikur nuk shkojnë sepse janë me temperaturë”.

Në vijim të kësaj, ai rikthehet sërish te fëmijët e Berishës. “Fëmijët e Saliut shkaktuan vdekjen e 26 njerëzve në Gërdec dhe Xeni nuk është thirrur qoftë edhe një herë të vetme në Prokurori. Bëhet fjalë për atë sypeshkaqenin, siç e quan ortaku i tij në Amerikë, që sot është i arrestuar dhe i dënuar, sepse atje ka drejtësi. Nëse kur ata ishin në qeveri dhe ne në opozitë, fëmijët e Saliut do të shkonin para Prokurorisë, ne do të heshtnim dhe nuk do bënim politikë. Opozita sot bën baltë duke i hequr mundësinë popullit të bëjnë dallimin mes nesh dhe atyre, thjesht dhe vetëm sepse duan të na bëjnë njësoj si ata. Di edhe unë të merrem me akuzat dhe të bëj akuza, madje të keqpërdor edhe funksionin tim për të zbuluar edhe shumë gjëra të tjera, por nuk e bëj këtë”, përfundoi intervistën individuale ministri i Brendshëm.

Top Channel