Tragjedia në Mekë, mbreti saudit kërkon masa të reja sigurie

25/09/2015 08:10

Pas fatkeqësisë së një dite më parë që kushtoi gati 720 jetë njerëzish, mbreti Salman i Arabisë Saudite urdhëroi rishikimin e kushteve të sigurisë për besimtarët pjesëmarrës në pelegrinazhin e Haxhit.

Në incidentin e Minës, të ndodhur vetëm 5 km larg qytetit të shenjtë të Mekës, u plagosën edhe 863 persona. 2 milionë pelegrinë ndodheshin aty për ritualin e goditjes me gurë të shtyllave të njohura si Jamarat, të cilat simbolizojnë të keqen. Shtyllat janë ngritur në vendin ku Shejtani mendohet të ketë tunduar profetin Muhamed.

Ndërsa i ofroi ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, monarku saudit u shpreh se fatkeqësia ka nxjerrë në pah nevojën për të përmirësuar nivelin e organizimit dhe menaxhimit të lëvizjes së pelegrinëve: “Kjo ngjarje fatkeqe, për të cilën u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse të nisin menjëherë një hetim, përfundimet e të cilit të na ofrohen sa më shpejt të jetë e mundur, nuk do ta reduktojë rëndësinë e përpjekjeve të forcave tona të sigurisë për të ndihmuar pelegrinët në praktikimin e ritualeve të tyre. Pavarësisht rezultateve të hetimit, përmirësimi i metodave dhe mekanizmave të sezonit të Haxhit nuk do të ndalojë”.
 
Ministri vendas i Shëndetësisë, Khaled al Falih, bëri një tablo paraprake të dinamikës së ngjarjes, duke pohuar se ikja e rrëmujshme me pasoja fatale ndodhi pasi besimtarët nuk kanë respektuar gjatë lëvizjes së tyre rregullat e përcaktuara nga autoritetet.

Përplasja e njerëzve mendohet të ketë ardhur në momentin kur dy grupe të mëdha pelegrinësh vërshuan në të njëjtën rrugë nga dy drejtime të ndryshme.

Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, vendi i të cilit humbi 95 shtetas në tragjedinë e së enjtes, kërkoi nga qeveria saudite që të pranojë përgjegjësinë e madhe për incidentin. Keqmenaxhimi dhe veprimet e gabuara duhen fajësuar sipas tij për këtë situatë.

Kjo është e dyta fatkeqësi që godet Mekën brenda vetëm dy javësh. Rrëzimi i një vinçi në xhaminë e madhe në 11 shtator i mori jetën 109 personave. Pavarësisht numrit të madh të viktimave, kjo nuk është tragjedia më e madhe e shënuar gjatë pelegrinazheve të Haxhit në Mekë. Në vitin 1990, në një tunel të tejmbushur me njerëz që çonte drejt vendit të shenjtë, vdiqën nga një episod i ngjashëm me këtë fundit gati 1430 pelegrinë, shumica aziatikë.

Top Channel