Berlini, 4 miliardë euro për landet që kanë dyndje refugjatësh

25/09/2015 12:15

Berlini premton 4 miliardë euro për landet e përballura me dyndje refugjatësh nga Lindja e Mesme e Afrika Veriore. Planet e ekzekutivit gjerman janë të paguhen 670 euro në muaj për të mbërriturit e rinj e qeverive rajonale t’iu lehtësohet në këtë mënyrë barra financiare e krizës.

Propozimi, të cilin Merkel vetë e cilësoi një pikë kthese vendimtare, parashikon shtim fondesh për landet në varësi të numrit të refugjatëve të pranuar. Përpos 670 eurove për azilkërkues, që kalojnë nga shteti tek komunitetet ku emigrantët janë strehuar, parashikohen edhe para’ shtesë për kujdesin ditor dhe shkollimin e fëmijëve.

Të përfshira në të njëjtën paketë janë edhe synimet për të shpejtuar verifikimin e kërkesave për azil si dhe zyrtarizimin e rreshtimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës në listën e vendeve të origjinës së sigurtë. Anashkalimi i azilkërkuesve nga Ballkani mendohet se do të krijojë më shumë hapësirë dhe mundësi sistemimi për refugjatët e mbërritur nga zona konflikti siç është Siria.

Pavarësisht shtimit të kostove, ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble kërkon të ruajë një buxhet të balancuar vitin që vjen. “Kemi një angazhim të qartë për të respektuar pa marrë borxhe të reja e pa shtuar taksat”, tha ai për televizionin gjerman ARD.

Angela Merkel është gjendur nën breshërinë e kritikave të disa liderëve të BE-së për deklaratat se Gjermania do të pranojë aplikime edhe nga emigrantë që kanë udhëtuar përmes vendesh të tjera të bllokut. Lëvizja e saj është parë prej udhëheqësve në fjalë si ftesë e hapur që i bëhet refugjatëve në mesin e ngurrimit të 4 shteteve europiane lindore për të pranuar kuotat e detyrueshme të Brukselit.

Top Channel