Elbasan, gjykata lë në fuqi arrestin me burg për drejtorin e Ujësjellësit

25/09/2015 13:55

Gjykata e Elbasanit ka lënë në fuqi të njëjtën masë sigurie, “arrest me burg” për Drejtorin e Ujësjellësit Altin Cenolli dhe biznesmenin Gazmend Laloshi të ndaluar 3 ditë më parë.

Në Gjykatën e Elbasanit u bë sot verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi të njëjtën masë për Cenollin dhe Laloshin, ndërsa pedagogia Manjola Tavanxhi u la në detyrim paraqitjeje.
 
Shtetasit e mësipërm u arrestuan nga policia pas një përgjimi i cili çoi në zbulimin e aferës korruptive. Sipas policisë, Altin Cenolli dhe Gazmend Laloshi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë tek pedagogët e Universitetit të Elbasanit, Fakulteti Ekonomik, Manjola Tavanxhi, A.Gj., dhe R.T., për të marrë nota kaluese në disa lëndë dhe për të siguruar kredite të mjaftueshme për provimin e diplomës për shtetasin Jani Muslli, i cili ishte student në këtë fakultet, duke paguar për çdo provim nga 200 euro.

Policia gjithashtu bën me dije se Altin Cenolli po hetohet edhe për shpërdorim detyre në funksionin e tij si drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Elbasan.

Top Channel