“Asgjë sikur dielli” depërton në tregun amerikan

25/09/2015 14:05

Këngët e grupit muzikor nga Kosova “Asgjë sikur dielli” tanimë do të dëgjohen edhe në Amerikë. Grupi ka nënshkruar në Tulla Culture Center marrëveshjen me kompaninë “Prince Deniv’ për distribuimin e këngëve në tregun amerikan.

“Janë tre mënyra për të bërë distribuimin: e para ka të bëjë me ruajtjen e të drejtave të autorit, të drejta për të cilat kujdeset kompania në mënyrë që radiot të mos transmetojnë një këngë; apo një film ta përdorë këtë këngë pa paguar. Metoda e dytë për ta shpërndarë albumin është ajo me CD, pra me kopje fizike, por kjo metodë në ditët e sotme përdoret gjithnjë e më pak. Mënyra e tretë është ajo online përmes platformave të ndryshme. Ne kemi marrëveshje me radio ne 15 shtete në Amerikë e tanimë Amerika do të nisë të mësojë se çfarë ndodh me botën shqiptare dhe me rock and roll-in shqiptar”, tha Daniel Cosentino, “Prince Deniv”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes u promovua edhe videoklipi më i ri i grupit, kënga me titull “Adresa”, e cila ashtu si kënga me të njëjtin titull e kantautorit Francesk Radi në vitin 1972, prej së cilës e ka marrë edhe spunton; tenton të sjellë revolucion në rock & roll-in shqiptar.

Top Channel