Gjermani, raste të shumta përdhunimi në kampe

25/09/2015 16:25

Si të mos mjaftonin kushtet e jetesës dhe vështirësitë me të cilat përballet çdo refugjat në pikat e grumbullimit në Gjermani, kontrollorët dhe organizmat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë rrezikun që u kanoset grave dhe fëmijëve në ato ambiente.

Shoqata të të Drejtave të Grave dhe politikanët kanë dërguar ankesat e tyre në Ministrinë e Integrimit dhe Çështjeve Sociale pasi në kampet e Giesenit kanë vënë re përdhunime të femrave dhe shfrytëzim të fëmijëve.

“Është fakt tanimë, që gratë dhe fëmijët janë të pambrojtur, shkruhet në letër. Kjo situatë është në të mirë të atyre që e shikojnë çdo femër me inferioritet dhe i trajtojnë të pashoqëruarat si të ishin prostituta. Për pasojë, raportohet një numër i madh përdhunimesh, sulmesh seksuale dhe një rritje e prostitucionit pa dëshirë”.

Kjo gjë vjen si pasojë e mbipopullimit të kampeve, shtretërit e vendosur shumë prane njeri- tjetrit, mosndarja në grupe të përbashkëta sociale, por mbi të gjitha përdorimi i tualeteve dhe dusheve të pakategorizuara në gjini, e shpeshherë pa asnjë ndarje privacie, ka shtuar rrezikun e qëndrimit në këto kampe. Ndaj, ata shtojnë kërkesën për një përshpejtim të procedurave të regjistrimit dhe ndarjes së tyre në vendet ku mund të përshtaten e të bëjnë një jetë normale.

Në sytë e grave shihet qartë frika e shfrytëzimit dhe kjo ka bërë që edhe gjatë ditës të mos qarkullojnë nëpër kampe nga rreziku i përdhunimit. Por problemi mund të përshkallëzohet tanimë që BE nuk mori asnjë për parandalimin, por kërkoi hapjen e kufijve nga vendet e tranzitit, çka do të shtonte numrin e të ardhurve dhe dendësinë për frymë në këto kampe.

Kancelarja Angela Merkel kërkoi moskufizim të kuotave të të ardhurve dhe kontroll nëpër pikat kufitare, por kjo gjë po e bën të pamundur përballimin e fluksit të emigrantëve.

Në të njëjtën kohë, shumë lande po e shtojnë ankesën e tyre për personel të kufizuar mbi aplikimin e azilit.

Top Channel