ISIS, Rouhani: S’ka koalicion me Rusinë. Po normalizojmë lidhjet me SHBA-të

25/09/2015 17:55

Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka bërë të ditur gjatë kësaj të premteje se Teherani nuk do të përfshihet në koalicion me Rusinë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, në Lindjen e Mesme, duke përmendur gjithashtu edhe faktin se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë përmirësuar, megjithëse “ka ende rrugë për të bërë”.

Duke folur përmes një përkthyesi, Rouhani tha se Presidenti rus Vladimir Putin i kishte thënë atij personalisht se, Moska dëshiron të luajë një rol më aktiv në luftën kundër grupit ekstremist në rajon.

“Nuk shoh ndonjë koalicion mes Iranit dhe Rusisë për të luftuar terrorizmin në Siri”, tha Rouhani, i cili ndodhet në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, drejtuar disa prej përfaqësuesve të medias ndërkombëtare dhe organizatave të ndryshme.

Ai theksoi përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Iran, por u tregua i kujdesshëm kur tha se ende nuk është e qartë se në ç’periudhë kohore marrëdhëniet mes dy kombeve armike prej një kohe të gjatë do të kthehen në normalitet.

“Situata ka ndryshuar, sigurisht – tha Rouhani. – Ne mund të nxerrim pika të prekshme, apo hapat e shumtë përpara që kemi bërë, por kemi ende rrugë për të ndjekur”.

Ai e përshkroi marrëveshjen historike bërthamore – të nënshkruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës, – si një “test të madh” për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Iranit, gjithsesi këtu u ndal të theksonte sesa e rëndësishme ishte të krijohej një atmosferë besimi mes tyre.

Implementimi i marrëveshjes bërthamore të 14 korrikut, që do të heqë sanksionet e rënda ekonomike ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit, pritet të nisë nga nëntori apo dhjetori i këtij viti. “Tashmë janë pjekur kushtet për këtë gjë”, tha Rouhani.

Top Channel