Si lindi biznesi i borxheve; Pas DIA-s edhe 6 kompani përfituan 4.4 mln euro

25/09/2015 19:50

Biznesi i mbledhjes së borxheve të energjisë lindi në vitin 2010, gati një vit e gjysmë pasi monopoli shtetëror i shpërndarjes së energjisë ishte privatizuar nga çekët e CEZ.

Në shtator të atij viti, CEZ nënshkroi marrëveshjen e parë për mbledhjen e borxheve me një kompani të quajtur DIA, e cila ishte në pronësi të biznesmenit Kastriot Ismailaj. Kompania u përzgjodh pa tender dhe marrëveshja, e cila u mbajt e fshehur jo vetëm nga publiku por edhe stafi i vetë kompanisë, sponsorizohej fortë nga dy krerët cekë të CEZ-it në Shqipëri, Jozef Hejsek dhe Jan Ivan.

Sipas saj, DIA, e cila ishte krijuar vetëm 6 muaj më parë, do të mblidhte borxhet e papaguara të energjisë për llogari të CEZ kundrejt një tarife prej 50 për qind të çdo shume që arkëtohej.

Kontrata mes CEZ dhe DIA-s zgjati pak më shumë se 1 vit. Përgjatë kësaj kohe mësohet se CEZ i ka paguar kompanisë së Ismailajt gati 4.5 milionë euro. Megjithatë, në tetor të 2011-s, CEZ vendosi ta ndërpresë marrëveshjen me DIA-n nën argumentin se kompania nuk kishte arritur objektivat.

Pas ndërprejes së kontratës, Kastriot Ismailaj vendosi ta padisë CEZ-in në Gjykatën Ndërkombëtarë të Arbitrazhit në Vjenë, duke kërkuar 130 milionë euro dëmshpërblim për ndërprejen e kontratës. Por dyshimet janë se konflikti u stis me qëllim për të përfituar paratë e arbitrazhit.

Të paktën ky është versioni i autoriteteve shqiptare, siç përcillet nga ky dokument konfidencial i kompanisë audituese BDO, e pajtuar në 2013-n nga qeveria shqiptare për ta asistuar në konfliktin me CEZ.

Pas prishjes së kontratës me DIA-n, në vitin 2012, biznesi i mbledhjes së borxheve të energjisë, i cili deri atëherë kishte qenë ekskluzivitet i saj u zgjerua më shumë.

Përgjatë periudhës shkurt-prill të këtij viti u krijuan me shpejtësi një sërë kompanish vendase, me objekt mbledhjen e borxhit, si CE2 Debt Services, CE2 Debt Menagement dhe Costal. Këto ishin kompani të zotëruar nga biznesmenë vendas me lidhje të forta në politikë, të cilët nuk kishin asnjë eksperiencë në fushën e mbledhjes së borxheve, përveç influencës në qarqet e pushtetit.

Në total u krijuan 6 kompani vendase dhe po ashtu në këtë kohë del në skenë dhe një tjetër e ardhur nga Çekia, me emrin Mercl Consulting.

Sipas dokumentave konfidenciale të zotëruar nga Top Channel vetëm për vitin 2012, CEZ u pagoi këtyre kompanive rreth 620 milionë lekë ose me kursin e asaj kohe gati 4.4 milionë euro, të cilat ka dyshime se janë transferuar në Çeki apo parajsa fiskale.

Biznesi i shumëpërforlur i mbledhjes së borxheve u rikthye sërish në qëndër të vëmendjes pasi agjencia BIRN, publikoi një raporti të studios ligjore Clifford e Cens, e cila hedh dyshime se kjo skemë është përdorur për të paguar rryshfete deri në nivelet më të larta shtetërore, përfshirë një i-sh kryeministër i akuzuar për korrupsion dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Top Channel