Disa nga sjelljet e pavullnetshme të trupit tonë

25/09/2015 00:00

Ne shpenzojmë rreth një të tretën e jetës sonë duke fjetur. 8 orë gjumë në ditë është mesatarja e artë, e megjithatë, Margaret Thatcher, Florence Nightingale dhe Napoleon Bonaparti thuhet se ia kanë dalë mbanë edhe me 4 orë gjumë.

Gjumi i jep trupit tonë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar nga një ditë e lodhshme, duke e bërë atë jetike për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Por, edhe pse e njohim mirë rëndësinë e tij, shumë gjëra të tjera në lidhje me kohën kur na vjen gjumi mbeten mister.

Duke nisur që nga e dridhura e syve kur jemi të lodhur, deri te fakti se ne mbajmë mend vetëm disa prej ëndrrave që shohim gjatë gjumit. Ekspertët i shpjegojnë kështu…

Ju dridhen sytë kur jeni të lodhur?

Lodhja, stresi dhe konsumi i tepër i alkoolit e bëjnë sistemin nervor simpatik, që kontrollon pjesën më të madhe të aktiviteteve tona të pavullnetshme, në një mbingarkesë, duke detyruar qepallat e syve të dridhen.

Muskujt në qepallat e syve janë delikatë dhe tepër të ndjeshëm ndaj faktorëve të tillë jetësorë, por kjo gjendje e njohur si “miokimi e qepallave” është e padëmshme. Për të shmangur këtë mjafton të flini pak më shumë dhe të shmangni gjërat që shkaktojnë lodhjen, si konsumi i tepërt i alkoolit. E nëse ju zhvillohen spazma në fytyrë, atëherë kërkoni këshillën e mjekut, pasi kjo mund të jetë shenjë e një çrregullimi mendor.

Pse kemi një frymënxjerrje të hidhur nga goja në mëngjes?

Kjo shije e nuhatur gjatë mëngjesit mund të kalohet lehtësisht me një gotë ujë apo me larjen e dhëmbëve. Por, ajo ndodh sepse frymëmarrja gjatë natës i ka tharë rrugët e frymëmarrjes dhe se goja qëndron e mbyllur gjatë orarit të gjumit, duke mos prodhuar shumë pështymë. E nëse flemë me gojë hapur, siç bën një pjesë e mirë e njerëzve, thatësira është edhe më e theksuar.

Përse ju duket sikur kërceni gjatë gjumit?

Ndërkohë që ne flemë, ne kalojmë përmes shumë fazave – thotë një ekspert i sjelljeve gjatë gjumit. – Nga gjumi i lehtë kalojmë në gjumë të thellë dhe, zakonisht pas 45 apo 60 minutash, nis edhe lëvizja e shpeshtë e syve. Kjo ndodh kur jeni duke parë ëndrra, kohë gjatë së cilës muskujt e qepallave janë paralizuar. Kjo është edhe arsyeja se përse nuk mundeni të bërtisni me zë kur shihni ndonjë ëndërr të frikshme.

Gjithsesi, të qënit të stresuar, shumë të lodhur dhe nëse keni orare të çrregullta të fjetjes, këto mund të çorientojnë ciklin, duke ju futur në fazën e gjumit të thellë me lëvizje të shpejtë të qepallave shumë më shpejt nga një situatë tjetër normale dhe shumë më herët nga sa mund të jetë parapërgatitur trupi juaj.

Në këtë moment, ju përjetoni edhe imazhe të gjalla gjatë ëndrrave, por kjo ndodh sepse muskujt nuk janë çlodhur tërësisht, e për këtë shkak ju dridheni apo kërceni nga vendi sikur të ishit zgjuar dhe kërkoni të lëvizni për diku. Këto kontraktime të papritura quhen miokloni hipnike.

Përse ju shfaqen rrathë të errët nën sy kur jeni të lodhur?

Rrathët e zinj nuk nënkuptojnë lëkurë të çngjyrosur, por veprimtari më të shpeshtë të enëve të gjakut nën to. Por nëse keni rrathë të tillë kur zgjoheni, atëherë me shumë mundësi kjo ndodh për shkak të dehidratimit. Kur njeriu është i dehidratuar, shtresa e sipërme e lëkurës është më pak e fryrë dhe enët e gjakut bëhen më të dukshme. Në mbrëmje, ju mund të keni konsumuar disa gota uji apo filxhanë kafeje, që ndihmojnë në dehidratim, shto këtu faktin që lëkura tenton të jetë më e thatë, nëse ekspozoheni në ajër të kondicionuar apo ngrohje qëndrore.

Top Channel