F1, Japoni; Vettel: Ferrari nuk është pretendent, por do të luftojë

25/09/2015 00:00

Edhe pse do të donte shumë të bënte premtime, Sebastian Vettel e di mirë që nuk mundet në një sport si Formula 1.

Piloti gjerman ka përjetuar një ditë të premte në Japoni, që nuk ka dhënë rezultate të ngjashme me fundjavën e kaluar në Singapor; reshjet e shiut kanë penguar një krahasim real mes konkurrentëve kryesorë për të fituar Çmimin e Madh të Japonisë.

Ferrari duket se ka punuar për të njohur më së miri rendimentin në pistë të lagur, por duke parë rezultatet e kronometrit shihet qartë se Mercedesi kësaj radhe i ka idetë më të qarta, krahasuar me fundjavëne  kaluar. Ndërkohë që Vettel mbetet si gjithnjë i kujdesshëm.

“Ishte një ditë gjatë së cilës kam kërkuar më së shumti ritmin e duhur, por është e vështirë të themi se ku jemi krahasuar me rivalët, sepse kushtet në pistë të lagur ndryshonin vazhdimisht. Nëse kam ende besim te titulli kampion? Nuk mund t’u bëj premtime tifozëve, me siguri do të bëjmë maksimumin e mundshëm. Çdo fundjavë do të punojmë fort për të kapur pozicionet më të mira në të gjitha sesionet kualifikuese. Sigurisht që Ferrari nuk është pretendent në këtë garë, por as për Botërorin”, është shprehur 4 herë kampioni i botës.

Top Channel