Konflikti sirian, Hezbollahu konfirmon armëpushim në dy zona

26/09/2015 08:10

Milicia libaneze shiite Hezbollah ka konfirmuar një armëpushim 6-mujor në luftën kunër rebelëve antiqeveritarë në dy zona të Sirisë. Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah thotë se armëpushimi do të ketë efekt në qytetin e Zabadanit, afër kufirit libanez, dhe dy qytete shiite në verilindje.

Ai tha se marrëveshja u arrit nën patronazhin e OKB-së dhe me ndërmjetësimin e Iranit. Hezbollah për një kohë të gjatë ka luftuar përkrah forcave të presidentit Assad për të mbrojtur kufirin sirian me Libanin.

Sipas kësaj marrëveshje forcat anti- Assad do të tërhiqen nga Zabadani, i cili është në rrethimin e forcave pro-qeveritare, të mbështetura dhe nga Hezbollahu.

Në korrik, i dërguari i OKB-së në Siri tha se sulmet e qeverisë mbi Zabadani kanë shkaktuar një “shkatërrim të madh dhe vdekje mes civilëve”.

Në këmbim, rebelët do të lejojnë evakuimin e mijëra civilëve nga dy fshatrat shiite, Kefraya dhe Fuaa, të cilat kanë qënë në mbikqyrjen e rebelëve në provincën e Idlib.

Zabadani është fortesa e fundit e rebelëve përgjatë kufirit me Libanin. E njëjta situatë është edhe në Kefraya dhe Fuaa. Muajin e kaluar u zbatua një armëpushim 48 orësh, ku u lejua kalimi i ushqimeve dhe ilaçeve në të dy zonat.

Top Channel