Mallrat pa faturë, Cani: Deklarojini pa penalitete deri më 31 dhjetor

26/09/2015 10:20

Nëse bizneset do të deklarojnë gjendjen e mallrave pa faturë deri më 31 dhjetor 2015 u hiqet penaliteti apo ndjekja penale, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani, referuar ligjit të ri të procedurave tatimore, që mazhoranca kaloi në Kuvend ditën e mërkurë. Ministri bëri të ditur se ende nuk është kontrolluar gjysma e biznesve.

“Të gjithë tatim paguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë të cilat ata e ribëjnë deklaratën deri më 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe ndjekja penale. Kuptohet që nga një janari është tjetër histori, por kjo është për tu ardhur në ndihmë bizneseve për të shfryrë pak dhe atë reagim të tyre që kjo fushatë, me demek, i kapi të papërgatitur. Biznesit të vogël ne duam t’i vijmë në ndihmë, u japim këtë mundësi kundrejt pagesës së detyrimeve normale. Mund të bëjë deklaratën tatimore të re duke paguar detyrimet normale që duhet të paguante. Ajo që dua të theksoj është fakti që është gjoba 500 mijë lekë për ata që nuk deklarojnë numrin e saktë të punësuarve dhe kur nuk deklarojnë pagën reale të të punësuarve. Kryesorja këtu është që ata të mos qëndrojnë në atë gjendje “skllavërie”, apo pa pensione”, tha ministri Cani.

Ndërsa për punonjësit e administratës tatimore dhe doganore do të ketë dy vepra penale, ajo e deformimit të pasqyrave financiare, dhe e dyta punonjësit e tatimeve dhe dogana nuk duhet të kenë në pronësi qëndër kontabiliteti apo agjenci doganore.

“Një është që quhet vepër e rëndë penale, deforimi i paqyrave financiare, bashkëpunimi për shkeljen e ligjit për punonjësit e administratës tatimore. Dhe së dyti, punonjësi i administratës tatimore, nuk lejohet që të ketë në pronësi qendra kontabiliteti dhe konsulence. Ai i administratës doganore nuk mund të ketë agjenci doganore”, tha ministri.

Referuar shifrave aktuale të operacionit antiinformalitet, Cani tha se nga 1 gushti deri më 24 shtator janë regjistruar 19 mijë biznese të reja. Ndërsa gjatë 25 ditëve të shtatorit janë regjistruar 60 mijë punonjës të rinj.

(Në përditësim…)

Top Channel