Meta: CEZ? Të hetohen të gjithë

26/09/2015 11:25

Ilir Meta ka zgjedhur Çorovodën për të shigjetuar jo vetëm kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, të cilin e ironizoi si politikanin që po sjell risi.

“Është i vetëm kryetar opozite i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministri, siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në gjithë Europën dhe botën, kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit”, tha Meta.

Ilir Meta u shfaq i pashqetësuar nga sulmi i Bashës ndaj kur tha se ai e di të vërtetën e sjelljes së kreut të ri të opozitës.

“Është pakënaqësi e tij për respektin maksimal që unë tregoj ndaj liderit historik, zotit Berisha duke i dhënë mundësinë që të shprehë pakufizim mendimet dhe qëndrimet e tij politike”, tha Meta.

Kreu i LSI-së gjeti rastin t’i kthejë përgjigjie Bashës dhe jo vetëm për etiketimin prej tij prej një kohë të gjatë të qeverisjes, si qeverisja Rama – Meta, e këtë e bëri përmes një shprehjeje të njohur të kryeministrit.

“Nuk keni dëgjuar gjë akoma sepse shumë shpejt do të ndërrojë vendet, do të akuzojë qeverinë Meta-Rama dhe pak më vonë do të dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen e terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaroi kreu i LSI-së.

Ilir Meta ripërsëriti qëndrimin e tij se është plotësisht i hapur për hetimin e veprimtarisë së CEZ-it, për të cilën Lulzim Basha i kërkoi dorëheqjen si politikani që ka qenë pas kompanisë huambledhëse DIA.

“Secili, për çdo qindarkë të marrë përgjigjen e merituar dhe të ndiqet çdo qindarkë sesi ka lëvizur nga CEZ tek DIA, por edhe nga DIA në kompani të tjera, jo vetëm 4 milionë eurot që ka përfituar DIA, por edhe 15 milionë eurot që kanë përfituar kompanitë e tjera pas uljes tjetër që ka bërë ERE për të favorizuar CEZ-in, tek të cilat kompani kanë shkuar? Cilët zyrtarë kanë përfituar? Si kanë ndërhyrë me veprimet apo se ç’përgjegjësi mbajnë për mosveprimet e tyre”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Ilir Meta deklaroi se nuk ka asnjë problem me SHBA dhe për këtë solli si provë të mjaftueshme faktin se në listat e LSI-së nuk ka patur asnjë problem me kandidatët për deputet.

Kreu i Kuvendit pohoi se do të jetë në Uashington pas tre javësh.

Top Channel