PD: Kjo qeveri ka armik qytetarin, jo banditin

26/09/2015 12:15

Partia Demokratike u mëshon akuzave të saj ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama, që sipas opozitës po e mbron ministrin, pavarësisht shkeljeve, që sipas deputetit Gent Strazimiri, Tahiri i pranon edhe vetë.

“Zotëria AA 003 GB, po të ishte deputet anti-Rama sot do të ishtë në burg për dëshmi të rreme. AA 003 GB thotë që ka shitur një makinë luksi në të zezë, si berberët që guxojnë të rruajnë dhe të qethin pa kasë, por zotërisë nuk i hyn gjemb në këmbë”, deklaroi në një dalje për mediat mesditën e së shtunës deputeti Strazimiri.

Armiku i vërtetë i kësaj qeverie, thotë opozita, janë të pamundurit.

“Kjo qeveri ka armik ka berberin dhe shitësin ambulant. Zotëria AA 003 GB nuk është njëri prej tyre, ai është thjesht një ministër. Qeveria armik ka shpallur invalidin e papunë, tregtarin që punon me djersë, por jo ministrin që ka shkelur Kodin Penal në mënyrë të përsëritur, siç e pranon edhe vetë”, deklaroi Strazimiri.

Strazimiri mbylli deklaratën e tij duke thënë se kjo qeveri është qeverisje banditësh që ka gati kurdoherë çelsin e burgut për çdo qytetar, por asnjëherë për banditët.

Top Channel