Mustafa dhe Thaçi në New York, në samitin global të liderëve kundër ISIS

26/09/2015 14:45

Krerët shtetërorë të Kosovës; Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi; udhëtuan të shtunën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në samitin global të udhëheqësve kundër ekstremizmit dhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Përfundimisht, do të jetë Presidentja Jahjaga, ajo që do ta kryesojë delegacionin kosovar, pavarësisht përplasjeve me ekzekutivin në këtë pikë. Por, ndryshe nga zyra e Presidentes, e cila zyrtarisht mundi vetëm ta konfirmojë udhëtimin e Jahjagës këtë fundjavë, zyra e kryeministrit njoftoi se Isa Mustafa ka udhëtuar drejt Nju Jorkut me ftesë të Presidentit Obama, për të marrë pjesë në samitin global të udhëheqësve kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm, që do të mbahet në Nju Jork.

Për këtë qëllim, pjesë e delegacionit kosovar është edhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Sipas njoftimit, kryeministri Mustafa do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, kryeministra të shumë vendeve të BE-së, si dhe krerë të shteteve të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe të shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Prioritet do t’i jepet edhe punës lobuese për anëtarësimin në UNESCO, për çfarë Kosova tashmë ka nisur garën. Nga ana e tij, zëvendëskryeminstri Thaçi shkruan në Facebook se, po udhëton drejt Nju Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar takime me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, OKB-së e BE-së. Siç shkruan Thaçi, “shumë mundësi për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Top Channel