Skandali i borxheve të CEZ; Zgjerohen hetimet, përfshihet edhe ish-drejtori çek

26/09/2015 15:00

Ish-drejtori i përgjithshëm i kompanisë së shpërndarjes së energjise elektrike CEZ Shqipëri, Josef Hajsek, vendoset nën hetim si njëri nga bashkëpunëtorët e Kastriot Ismailajt, i arrestuar prej pesë muajsh për mashtrimin pesë milionë euro në dëm të shtetit shqiptar dhe CEZ.

Një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme deklaroi në rrugë jo zyrtare se pozitat e Hajsek mund të rëndohen akoma më tej, që do të thotë se prokurorët pritet ta marrin atë të pandehur për të njëjtat akuza të ngritura më herët ndaj 52-vjeçarit Ismailaj, administrator i shoqërisë DIA dhe i pesë kompanive të tjera, tek të cilat janë kryer transaksione me vlera të konsiderueshme.

Sipas versionit jo zyrtar, të dhënat e deri tanishme e vendosin ish drejtuesin e CEZ në Shqipëri në pozita të pavaforshme përballë drejtësisë shqiptare për veprat e mashtrimit me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe pastrimit të parave.

Prokurorët e njësisë task-force pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme, pas një periudhe të gjatë hetimore, ku pjesë e dosjes janë edhe firmosja e marrëveshjes mes përfaqësuesit të DIA-s Ismailaj dhe dy përfaqësuesve të CEZ, me personazh kryesor kryetarin e bordit drejtues, Josef Hajsek.

Prokuroria pohon në rrugë jo zyrtare se ka dyshime se Hajsek ka rol aktiv në skemën e mashtrimit, që dyshohet se ka nisur para lidhjes së kotratës së parë për mbledhjen e borxheve e që mban datën 1 tetor 2010. Sipas prokurorisë, Ismailaj ka paraqitur të dhëna të rremë dhe dokumenta fiktive për strukturën dhe eksperiencën e DIA-s, një shoqëri e regjistruar në regjistrin tregtar dy muaj para firmosjes së marrëveshjes, ndërkohë që në referim të tyre palët kanë firmosur.

Episodi i dytë shprehen prokurorët ka lidhje me përcjelljen e këtyre materialeve të pavërteta mbi DIA-n në prag të marrëveshjes së dytë të shkurtit 2011, nga CEZ-i në Shqipëri drejt këshillit mbikqyrës të shoqërisë në Pragë. Por ajo që është më e rëndësishme është pranimi i një pune fiktive të DIA-s për afro një vit, ku për mbledhjen e borxheve CEZ i pagoi Kastriot Ismailajt gati 5 milionë euro  dhe në këtë pikë, prokurorët nuk e përjashtojnë Hajsek nga abuzimi me ligjin.

Opozita ka paralajmëruar se të hënën do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, e ratifikuar edhe nga Parlamenti, që zgjidh pronësinë mbi operatorin e shpërndarjes, e cila sheshon të gjitha mosmarrëveshjet dhe pretendimet e Shqipërisë mbi këtë kompani.

Ajo parashikon edhe mosfillimin e çështjeve hetimore ndaj kësaj kompanie dhe punonjësve të saj. Por burime pranë prokurorisë së përgjithshme bëjnë të ditur se kjo marrëveshje nuk e pengon organin hetimor të hetojë për vepra penale ku dyshohet të jenë përfshirë ish zyrtarë apo nëpunës të kompanise çeke.

Top Channel