Cani: Marrëveshja me CEZ, e justifikuar

26/09/2015 15:15

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, e cilësoi klauzolën që amniston dhe kufizon hetimet për të kaluarën e CEZ-it si një praktikë normale në marrëveshjet të këtij lloji.

Ndonëse u kujdes të vinte në dukje se ky kapitull, nuk është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e ministrisë së tij, si një nga firmëtarët e saj, kreu i financave thotë se kjo garanci penale ndaj çekëve është e justifikuar.

“Kur të blini ju një biznes, biznesin tim mendoni që ju që nuk mund të vini përsipër një klauzolë që nuk mund të marrësh përsipër që çfarëdo të zbulohet më pas t’i dalësh për zot ti? Është e vështirë pak e vështirë që të blesh një gjë që të të lërë litarin në gropën e hapur që përjetësisht t’i të zhytesh brenda. Kur ka shitje të këtyre masave, përgjithësisht janë klauzolat që e nxjerrin palën nga gjithë vargu i gjëravë që mund të zbulohe, por kjo nuk do të thotë që nuk happen çështje të veçanta”, thotë ministri Cani. 

Kreu i Financave doli para mediave për të bërë publike rezultatet e operacionit kundër informalitetit. Sipas tij, edhe pse deri tani janë kontrolluar vetëm gjysma e bizneseve, rezultatet janë të dukshme ku vetëm nga 1 gushti janë regjistruara mbi 19 mijë ndërmarrje të reja, ndërsa xhiro e deklaruar është rritur me 14 miliardë lekë.

“Gjatë 25 ditëve të muajit shtator janë mbi 60 mijë punonjës të rinj. Kjo është një shifër që na jep kënaqësi dhe është shprehje e ecurisë së reformës”, tha Cani.

Zoti Cani u rikujtoi bizneseve të deklarojnë çdo mall pa faturë brenda fundit të vitit për të mos u ndjekur penalisht, ndërkohë që paralelisht bëri të ditur se qeveria do të  ndryshojë ligjin për skanimin në dogana duke hequr pagesën e dyfishtë për tranzitet dhe duke lehtësuar bizneset e fasonit.

“Ka pagesa të dyfishta, hyn malli në Durrës dhe paguhet në Tiranë. Është e pakuptimtë që të paguhet tranziti. Ne do ta ndryshojmë ligjin. Ne e kemi çuar për mendim, por po na vonohet pak tek ministritë. Janë 5 rregullime, tranziti, material-porositësi që paguan edhe import të lëndës së parë dhe për eksport dhe është e pakuptimtë që t’ia marrësh të dyja”, u shpreh ministri Cani.

Një tjetër pikë ku ministri i Financave u ndal gjatë, ishtë dalja në tregun ndërkombëtar për të rinovuar eurobondin. Sipas tij, gjatë ditëve në vijim do të kryehen një sërë takimesh me investitorë në tregjet europiane, ku Qeveria synon të sigurojë 300 deri në 500 milionë euro borxh.

Top Channel