Rusi-Estoni shkëmbejnë spiunët

26/09/2015 17:15

Rusia dhe Estonia kanë shkëmbyer dy të burgosur, të dënuar për spiunazh. Oficeri estonez i sigurisë, Eston Kohver u dënua me 15 vjet në një burg të Rusisë muajin e kaluar.

Ai u shkëmbye këtë të shtunë me Aleksei Dressen, që ishte burgosur në Estoni që prej vitit 2012 për spiunazh në favor të Moskës.

Rasti i Kohver shkaktoi një incident diplomatik, me Estoninë dhe Bashkimin Europian që insistonin se ai ishte rrëmbyer në territorin e vendit baltik nga agjentë rusë, akuzë të cilën Rusia e mohonte.

Ndërsa Dressen ishte një ish-oficer i shërbimeve sekrete estoneze, që u shpall fajtor për kalim të dhënash sekrete palës ruse për shumë vite, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991.

Ai ishte arrestuar në vitin 2012 bashkë me bashkëshorten e tij Victoria Dressen, të cilës iu pezullua dënimi.

Sipas Shërbimit Federal për Sigurinë në Rusi, shkëmbimi ndodhi në një urë mbi lumin Piusa që ndan rajonin perëndimor të Rusisë, Pskov dhe kontenë Polva të Estonisë.

Shkëmbimi erdhi pas një procesi të gjatë negociatash, deklaroi shefi i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, Arnold Sinisalu në një konferencë shtypi përkrah Kohver.

Nga ana e tij, agjenti estonez u shpreh i gëzuar që kthehej në shtëpi dhe falenderoi të gjitha autoritetet për ndihmën e dhënë në këtë drejtim, si dhe për faktin që mbijetoi në burgun rus.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe fqinjit të saj baltik janë bërë problematike që kur vendi u anëtarësua në NATO dhe në Bashkimin Evropian në vitin 2004.

Top Channel