Tragjedia në Mekë, Myftiu i Madh: Ishte përtej kontrollit njerëzor

26/09/2015 17:45

Kleriku më i vjetër i Arabisë Saudite, Myftiu i Madh, ka deklaruar se rrëmuja e së enjtes në pelegrinazhin e përvitshëm mysliman në Mekë ishte diçka që shkonte përtej mundësive të kontrollit njerëzor.

Myftiu i Madh, Abdul Aziz bin Abdullah al Sheikh priti në një takim Princin e Kurorës, që është gjithashtu zëvendës-kryeministër dhe kryetar i Komitetit Suprem për Pelegrinazhin, për të cilin tha se nuk ka asnjë faj.

“Ti nuk ke asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi. Nuk është faji yt që njerëzit humbasin kontrollin. Fati është i pashmangshëm”, mësohet t’i ketë thënë myftiu princit Mohammed bin Nayef.

Kjo deklaratë erdhi pasi Irani dhe vende të ndryshme kanë kritikuar autoritetet saudite për mënyrën sesi menaxhuan aspektin e sigurisë.

Prokurori i përgjithshëm iranian, Sayed Ibrahim Raisi deklaroi se shteti i tij do të kërkojë një proces në një gjykatë ndërkombëtare për familjen mbretërore saudite, për “krimin e kryer”.

Irani deri tani rezulton të jetë vendi që ka humbur më shumë jetë në tragjedinë e së enjtes, të paktën 134, ndërkohë që rreth 340 iranianë të tjerë konsiderohen të humbur.

Ndërkohë, autoritetet saudite e kanë ngritur numrin e viktimave në 769, numër ky që përbën bilancin më të rëndë në 25 vjet.

Vetë mbreti Salman ka urdhëruar një rishikim të planeve të sigurisë. Pelegrinazhi në Mekë, i njohur ndryshe si Haxhi, ka mbërritur në ditën finale dhe deri tani nuk janë raportuar incidente serioze.

Top Channel