Bulqizë, arrestohet i shumëkërkuari Fadil Tërnova

26/09/2015 20:50

Agjentë të shumtë të Policisë së Shtetit kanë kryer pasditen e kësaj të shtune në Bulqizë operacionin e koduar “Furtuna”, që është mbyllur me arrestimin e të shumëkërkuarit Fadil Tërnova.

Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare. Tërnova ishte person i shpallur në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë”.

Gjykata e Dibrës e ka dënuar këtë shtetas në mungesë me 9 vite e 10 muaj burg për këtë vepër penale.

Burimet saktësojnë se, në momentin e arrestimit atij iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë. Ndërsa gjatë kontrollit të imtësishëm në banesë, atij iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë e llojit Kallashnikov me dy krehëra me 60 fishekë.

Gjithashtu, në pranga ka përfunduar edhe një person tjetër, shtetasi Veli Nika, 29 vjeç, për përkrahje të autorit të krimit.

Shtetasi Fadil Tërnova konsiderohej nga autoritetet policore person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i proceduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale. Konkretisht ai mbahet përgjegjës për:

Më datë 09.12.2009, rreth orës 15.30, në vendin e quajtur “Pishat” ka qëlluar me armë zjarri një shtetas i cili mbeti i plagosur rëndë.

Më datë 24.11.2012, rreth orës 12.00, është shpallur në kërkim nga ana e komsiariatit të policisë së Bulqizës për veprat penale “kanosje” dhe “plagosje me dashje”.

Me datë 20.04.2013, rreth orës 15.00, në lagjen Gjeologu të qytetit të Bulqizës, pas një shkëmbimi zjarri përpara një lokali të njohur, Tërnova dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin me inicialet Sh.Sh. dhe ka plagosur rëndë një tjetër.

Lidhur me këtë ngjarje u arrestun shtetasit Luan Tërnova dhe Vehap Shehu.

Gjithashtu, Fadil Tërnova dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera të rënda të verifikuara në teritorin e Bashkisë Bulqizë dhe policia po punon për dokumentimin e tyre.

Top Channel