Pas operacioneve të kundërzbulimit, Franca sulmon objektivat e ISIS

27/09/2015 09:00

Franca ka ndërmarrë të parat sulme ajrore të saj kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Zyra e Presidentit, Francois Hollande, njoftoi se avionët francezë kanë goditur shënjestrat e përcaktuara si të tilla gjatë fluturimeve të kundërzbulimit, të realizuara këto dy javët e fundit.

Në deklaratën e shkurtër të Elizesë sqarohet se, për këtë operacion, Parisi ka koordinuar lëvizjet me partnerët rajonalë. “Vendi ynë konfirmon në këtë mënyrë angazhimin e tij të palëkundur në luftën kundër kërcënimit terrorist, që përfaqëson sot Daesh, – tha kreu i shtetit francez, duke iu referuar grupit militant me njërën prej akronimeve të tjera të përdorura për të. – Ne do të godasim çdo herë, që sigurisë sonë kombëtare do t’i kanoset ndonjë rrezik”, shtoi ai.

Në ndryshim nga Britania, bombardimin e pozicioneve të ISIS-it, Franca e kishte kufizuar deri më tani në hapësirën ajrore irakiane. Hollande pati njoftuar në fillim të muajit se po bëhej gati të dëergonte avionë luftarakë në Siri, duke nisur kësisoj një periudhë misionesh kundërzbulimi, me qëllim identifikimin e objektivave të operacionit anti-ISIS.

Bëhet fjalë për qendrat e komandës, kampet stërvitore dhe logjistikën e grupit ekstremist. Hollande do të shprehej atëherë se, sulme terroriste po planifikoheshin kundër Frances nga brenda Sirisë.

Ky zhvillim vjen në kohën kur Bagdadi zyrtar njoftoi se, për frenimin e ISIS-it, ushtria e tij do të bashkëpunojë me shërbimet ruse, iraniane e ato siriane të inteligjencës, si dhe me forcat e sigurisë së këtyre vendeve. Moska e ka shtuar ndjeshëm përfshirjen e saj në Siri këto javët e fundit, lëvizje kjo që ka ngjallur shqetësim në Uashington.

Top Channel