Takimi, nismë e Shqipërisë; Rama: Terrorizmin ta luftojmë bashkë

27/09/2015 09:20

“Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”, kjo ishte tema e takimit të zhvilluar në Nju Jork me nismë të Shqipërisë, që gjeti edhe mbështetjen e Jordanisë dhe Vatikanit.

Takimi i moderuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, kishte në qendër të diskutimeve nevojën për një dialog të vërtetë dhe ndërveprim mes feve dhe kulturave, promovimin e diversitetit dhe harmonisë.

Kryeministri Rama evidentoi se, Shqipëria është një model në bashkekzistencën paqësore dhe një vend i vëllazërisë fetare.

“Papa Françesku e filloi vizitën e tij në Europë, nga Shqipëria. I përshëndetur nga gëzimi i mijëra qytetarëve të feve të ndryshme, ai e quajti këtë bashkëjetesë ‘vëllazëri fetare’. Ne nuk do të lejojmë, që ndonjë besim të përcaktohet në termat e kundërvënies ndaj besimeve të tjera. Unë mendoj se kjo është një masë e rëndësishme parandaluese kundër ekstremizmit. Në një vend, ku Selia e Shenjtë ka më shumë se 40 martirë, ka njerëz që i luten Allahut; ku festat e krishtera kremtohen edhe nga myslimanët dhe festat myslimane kremtohen edhe nga të krishterët, hebrenjtë, ateistët. Në vendin tonë, ne kemi ditur gjithmonë sesi të ndërtojmë mbi ngjashmëritë tona dhe si të respektojmë dallimet tona, sidomos në çështjet e fesë. Është gjithashtu e mundur, që këtë përvojë ta përçojmë përtej kufijve tanë, në realitete të ndryshme sociale, politike dhe kulturore. Masat që duhet të merren janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim më të madh midis aktorëve, nga feja, deri në ato të sigurisë, duke harmonizuar hapa në fusha të ndryshme, nga ekonomia e deri tek arsimi”, tha kreu i qeverisë shqiptare, Rama.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati theksoi se, ky panel është dhe më i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse është në prag të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në OKB dhe në 70-vjetorin e themelimit të organizatës.

“Në 60 vitet e anëtarësisë së saj, por kryesisht që pas viteve 1990, Shqipëria ka dëshmuar të jetë një anëtar i përgjegjshëm i organizatës, duke kontribuuar për paqen dhe sigurinë në botë. Tashmë, si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, ne jemi të angazhuar dhe të vendosur, që të luajmë një rol më aktiv në përputhje dhe me prioritetet e objektivat e zhvillimit tonë kombëtar, si dhe progresit për në BE. Bota, sot përballet me një sërë sfidash të karakterit të sigurisë, valëve migratore nga zonat në konflikt, dhunës ekstreme, intolerancës fetare dhe diskriminimit, ndaj promovimi i harmonisë është i një rëndësie parësore”, tha ministri Bushati.

Duke iu referuar “Deklaratës së Schuman”, ministri Bushati deklaroi se “paqja në botë nuk mund të ruhet pa përpjekje kreative, në përgjigje të rreziqeve që e kërcënojnë atë”.

Top Channel