Përkeqësimi i motit pritet të vështirësojë kushtet e refugjatëve

27/09/2015 00:00

Ftohja e motit i shton vështirësitë e emigrantëve të mbërritur në Europë, shumë prej të cilëve – përfshirë këtu gra shtatzëna, fëmijë e të moshuar, – po i kalojnë netët në qiell të hapur.

Agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se, me afrimin e sezonit të ftohtë, rreziqet e sëmundjeve e vdekjeve për refugjatët e dyndur nga Siria e vende të tjera të Lindjes së Mesme do të shtohen ndjeshëm.

Megjithatë, deri tani, ulja e temperaturave nuk e ka tkurrur aspak numrin e atyre, që vendosin ta ndërmarrin këtë rrugëtim.

Të shtunën, 3.000 emigrantë u bllokuan në qyteti kufitar të Strosincit, në Kroaci. Sipas autoriteteve, udhëtarët zbritën nga autobusët serbë në një fushë të zbrazur dhe iu tha të ecnin në këmbë deri në territorin kroat.

Policia kroate, fshatarët vendas dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq iu erdhën në ndihmë, pasi emigrantët humbën rrugën. Që kur Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë, Kroacia është kthyer në vendin kryesor të tranzitit për refugjatët në Ballkan.

Hungarezët kanë nisur edhe aty ngritjen e një barriere dhe, aktualisht, të hapura janë vetëm 3 pikëkalime. Pritja e rezervuar të mbërriturve në njërën prej tyre, Beremend, është një çadër e përbashkët furnizimi me një ËC të vogël; automjete të blinduara, mitralozë.

Refugjatët trajtohen si të ishin të arrestuar: çdo ngarkesë autobusi kontrollohet veçmas nga dyzina policësh të kufirit; çdo çantë duhet të hapet. Njerëzve u bie shpesh të fikët nga rraskapitja, e për ta kujdesen punonjës sanitarë.

Më shumë se dy ditë iu deshën të prisnin një grupi me 4000 refugjatë, në kampin e vetëm të pritjes që ekziston aktualisht në anën kroate. Para kampit në Opatovc janë krijuar vargje të gjata njerëzish dhe refugjatë të rinj shfaqen herë pas here nga fushat e misrit pranë.

Vetëm javën e kaluar, më shumë se 50 mijë refugjatë erdhën nga Serbia në Kroaci. Vendi është krejtësisht i mbingarkuar me valën e refugjatëve.

Gjermania, ndërkohë, destinacioni kryesor i këtyre njerëzve, deklaroi se në gjysmën e parë të këtij viti ka marrë 200 mijë kërkesa për azil, 40 për qind e të cilave janë paraqitur nga shqiptarë, kosovarë, maqedonas e serbë, të gjithë njerëz të larguar prej papunësisë dhe varfërisë për një jetë më të mirë.

Top Channel