Ahmeti, vizitë në Tetovë; OJQ: Shpresojmë të mos helmohet nga ajri

27/09/2015 00:00

Organizata Joqeveritare “Eko Gerila”, e cila ka vite që proteston kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, i ka uruar Ali Ahmetit që të mos helmohet nga ajri, gjatë vizitës së të shtunës në Zhelinë.

Arianit Xhaferi, përfaqësues i kësaj organizate, ka thënë se Zhelina është ajo, që goditet më së shumti nga helmi i fabrikës së “Jugohromit”, që punon pa filtra për pastrimin e gazrave helmues që lëshon.

“Shpresoj shumë, që zoti Ahmeti të mos helmohet nga helmi i ‘Jugohromit’, sepse është komuna e Zhelinës kryesisht, ajo që goditet e para nga helmi i mbushur me grimca pm10″, ka deklaruar për mediat, Arianit Xhaferi.

Xhaferi, vizitën e Ahmetit në Tetovë e sheh si mungesë të aftësisë për të ndryshuar gjërat dhe, me vizita të tilla – sipas tij, – mundohet t’u hedhë hi syve qytetarëve.

“Kur kemi parasysh se një ministër nuk ka aftësi të vendosë rend në dikasterin e vet, çfarë mun të presim nga një parti, e cila do të duhej të zhvillonte më shumë projekte?”, ka pohuar Xhaferi.

Gjatë dy viteve të fundit, për shkak të ndotjes së ajrit në Tetovë kanë reaguar dhe protestuar qindra qytetarë e organizata joqeveritare.

Qeveria i ka dhënë disa herë afat shtesë ndotësit kryesor të rajonit të Pollogut, “Jugohromit”, por helmimi i tetovarëve vazhdon edhe përtej këtyre paralajmërimeve.

Top Channel